Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti ka bërë të ditur se ajo që filloi në Prishtinë 10 vjet më parë, me 5,000 fustane të varura në të gjithë qytetin, ku secili prej të cilëve përfaqësonte një të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, tani është shndërruar në një fushatë globale
Rushiti në një postim në Facebook shkruan se ky instalacion “Mendoj për Ty” nga zemra e Prishtinës ka arritur në qytetin e drejtësisë, në Strasburg.
“Ajo që filloi në Prishtinë 10 vjet më parë — me 5,000 fustane të varura në të gjithë qytetin, secili prej të cilëve përfaqësonte një të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, tani është shndërruar në një fushatë globale të udhëhequr nga Alketa Xh M. Ky instalacion i fuqishëm mbart me vete kujtesën, rezistencën dhe të vërtetën e të mbijetuarve, në zemër të Evropës, në qendër të drejtësisë”, shkruan ajo në Facebook.
Tutje, Rushiti thekson se është thellësisht e nderuar që i bashkohe këtij eventi me ftesë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg, dhe veçanërisht e prekur nga prania e Ramadan Nishorit, të mbijetuarit të parë mashkull në Kosovë që flet publikisht.
“Guximi i tij na kujton se shërimi nuk ka gjini. Të gjitha të mbijetuarat meritojnë hapësirë, dinjitet dhe drejtësi. ‘Mendoj për Ty’ nuk është vetëm art. Është rezistencë. Është kujtesë. Është shpresë”, shkruan ajo./Njeshi/