Ka nisur mbledhjen Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ku pritet vendimi mbi propozimin për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.
Pos vendimit për propozimin për çmimin e ri, do të vendoset edhe nëse çmimet e reja do të hyjnë në fuqi retroaktivisht për muajin prill apo nga 1 maji.
Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, e pati arsyetuar propozimin për rritje prej 15 për qind, duke thënë se kjo është shkak i çmimeve në bursa të energjisë.
“Shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodhur në bursat e energjisë elektrike, ky është shkaktari kryesor dhe nuk ka përshtatje të tjera që kanë ndikuar në këtë 15%. Të jeni të sigurt edhe në raport me investimet dhe vlerat e tjera të efikasitetit dhe në raport me lakoren e humbjeve, rregullatori i ka njohur vetëm ato që i ka njohur gjatë shqyrtimit. Shkaktari kryesor për rritjen e propozimit të rrymës është çmimi i shkaktuar i energjisë elektrike. Duhet të kemi konsideratë që gjatë këtij viti njësitë e Kosovës B do të jenë në remont të gjatë dhe kërkesa për import është e domosdoshme për të mundur të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm për konsumatorët”, pati thënë ai. /Njeshi/