Përfaqësuesi i grupit qytetar “Asnjë Cent më Shumë” ka bërë thirrje publike për qytetarët që të shtunën, në orën 12:00, të marrin pjesë në një protestë masive kundër rritjes së tarifës së energjisë elektrike.
Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se protesta do të jetë një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), të cilin e ka cilësuar si “të padrejtë dhe jo legjitim”.
“Për qytetarët është me rëndësi të dinë se aktiviteti ynë nuk ka ndaluar për asnjë moment. Ne do ta vazhdojmë deri në pezullimin e vendimit për shtrenjtimin, i cili është marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa përfaqësuar interesin publik”, tha ai.
Ai shtoi se nëse nuk ka reflektim, do të detyrohen ta masivizojmë protestën, përcjell Telegrafi.
“Masovizim do të thotë edhe përshkallëzim. Ne nuk jemi të lumtur që duhet të japim këto mesazhe, por nëse neglizhenca vazhdon, do të shkojmë deri në bllokim rrugësh dhe institucioneve, që zëri i qytetarëve të mos injorohet më”, theksoi ai.
Ai shprehu gjithashtu shqetësim për paralajmërimet e fundit për rritje të çmimeve edhe në produkte bazike si mielli dhe buka.
“Kjo e bën pjesëmarrjen në protestë më të domosdoshme se kurrë”, tha përfaqësuesi i grupit.
Ai gjithashtu bëri të ditur se po shqyrtohet edhe pjesa ligjore e kundërshtimit, përmes një padie ndaj vendimit të ZRRE, ndërsa një nga hapat që mund të ndërmerren nëse nuk merren masa është edhe nisma për mos pagesë të faturave të energjisë elektrike nga ana e qytetarëve. /Njeshi/