1.6 C
Pec
E hënë, 11 Nëntor, 2024

Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulm ndaj kryetarit të Pejës

Gjykata Themelore e Pejës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh  të pandehurve K.L dhe D.L, të  cilët dyshohen  për sulm ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Kjo është bërë e ditur nga burimet e  “Betimi për Drejtësi” brenda Gjykatës së Pejës.

Dy të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Pejës të dielën kërkoi caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, kurse Gjykata e Pejës po ashtu dje ua vazhdoi atyre masën e ndalimit edhe për 48 orë.

“Prokuroria Themelore në Pejë në afatin e saj ligjor ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve. Kërkesa është bazuar në tri fazat që janë paraparë në kodin e procedurës penale si është rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmitarë sepse në vendin ku ka ndodhë ka shumë dëshmitarë dhe ende një pjesë nuk janë intervistuar dhe pastaj ekziston edhe rreziku se ata mund ta përsërisin veprën penale për vetë faktin se shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk është shumë në largësi të madhe. Të dyshuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’”, ka thënë prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri për “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte sulmuar fizikisht nga dy persona mëngjesin e 26 tetorit në Pejë.

“Rreth orës 08:50 është sulmuar nga persona të dyshuar kryetari i Komunës së Pejës, i cili ka pësuar lëndime trupore”, ka thënë të shtunën për “Betimi për Drejtësi”, Driton Rugova, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.

Ai ka thënë se me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh të së dielës ka njoftuar për sulmin ndaj kryetarit të Pejës,  duke bërë të ditur se ende nuk dihen motivet e sulmit.

Pas sulmit, Muhaxheri publikoi një fotografi në Facebook, tha se është mirë me shëndet.

Partia e Muhaxherit, Lidhja Demokratike e Kosovës, dënoi ashpër sulmin ndaj kryetarit të Pejës, duke kërkuar që personat e dyshuar të përballen me drejtësinë.

“Sulme të tilla nuk i shërbejnë demokracisë dhe janë nxitëse në këtë periudhë. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe veprime të tilla kërcënojnë sigurinë dhe mirëqenien e udhëheqësve tanë”, u tha në reagimin e LDK-së. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...