Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Hysri Selimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale spiunazhi.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 06.05.2025, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit H.S., ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Në njoftimin e lëshuar për media, thuhet se Gjykata ka vlerësuar se i pandehuri nëse lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, mund lehtë të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale.
Gjykata po ashtu vlerësoj se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjta mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.
Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se cdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim./Njeshi/