Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Hysri Selimi i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit.
Vendimi u mor pas seancës dëgjimore të mbajtur të martën, ku gjyqtari i procedurës paraprake e konsideroi të arsyeshme kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar rrezikun e ikjes së të dyshuarit dhe mundësinë e ndikimit në dëshmitarë dhe prova.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes… Gjithashtu mund të ndikojë në prova dhe dëshmitarë apo të përsërisë veprën penale,” thuhet në njoftimin e gjykatës.
Tutje, gjykata thekson se pesha e veprës është e natyrës së rëndë dhe se paraburgimi është i domosdoshëm për të garantuar mbarëvajtjen e procedurës penale dhe për të parandaluar ndonjë veprim të ngjashëm në të ardhmen.
Sipas gjykatës, çdo masë tjetër përveç paraburgimit do të ishte e pamjaftueshme.
Palët e pakënaqura me këtë aktvendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Njeshi/