Fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mund ta formojë qeverinë pa një koalicion me partitë shqiptare.
Ky subjekt nuk e ka mbështetjen e plotë të partive joshumicë, por edhe sikur ta kishte, kjo nuk do të mjaftonte për ta formuar ekzekutivin.
Këtë fakt e ka pranuar të martën nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, që tha se formimi i qeverisë së re s’mund të bëhet pa përfshirjen e partive shqiptare në një koalicion qeverisës.
Sipas tij, aktualisht ekzistojnë dy skenarë: votimi i një qeverie të re deri në zgjedhjen e presidentit të ri – prill 2026 – apo votimi i një ekzekutivi afatgjatë.
E analisti i afërt me pushtetin, Sadri Ramabaja, të dielën tha se së shpejti do të zyrtarizohet koalicioni ndërmjet kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është në proces të përfundimit të një koalicionin formal me Nismën Socialdemokrate, që drejtohet nga Fatmir Limaj dhe unë mendoj që më së largu deri në ditën e hënë do të bëhet publike edhe kjo marrëveshje“, ka thënë ai.
Zyrtari i Nismës, Zafir Berisha, ka reaguar me ironi ndaj deklarimeve të Ramabajës, duke e akuzuar për “halucinacione”.
“Ramabaja, nuk i paska përdorën tabletat sot dhe qenka prekë nga halucinacionet!”, ka shkruar Berisha në një reagim publik.
Ndërkohë, të martën pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje – si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit – do të udhëheqë procesin e konstituimit të institucioneve.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka fituar 48 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës, 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Nisma Socialdemokrate ka tetë deputetë.
Kurti e ftoi për bisedime LDK-në e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, por oferta u refuzua.
Gjatë fushatës, Kurti nuk i ka kursyer fjalët për këtë parti dhe si duket LDK-ja këtë gjë nuk e ka harruar. Po ashtu, LVV-ja kishte thënë se preferon një qeveri vetëm me pakicat joserbe.