Në mungesë të kourumit, Kuvendi i Kosovës ka dështuar t’i ratifikojë tri marrëveshje ndërkombëtare.
Gjatë seancës së sotme plenare, projektligji i parë që u hodh në votim ishte ai për për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Kryekuvendari, Glauk Konjufca, tha që s’ka kourum për të votuar këtë marrëveshje, me ç’rast u bart për një seancë të ardhshme.
“Nuk e ka kuorumin për ta votuar këtë marrëveshje ndërkombëtare. I mbetet një seance të ardhshme”, ka deklaruar Konjufca.
Po ashtu, Kuvendi s’arrit të kalojë as Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore. Në votim morën pjesë 74 deputetë.
Marrëveshja e tretë që dështoi të miratohej ishte ajo për kredi mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale./Njeshi/