Partitë politike në Kosovë dhe zyrtarë të Qeverisë Kurti s’do të mund të organizojnë më tubime elektorale në tokën gjermane. Kështu ka bërë të ditur ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde. Rohde ka rikujtuar ligjin gjerman që s’lejon aktivitete elektorale të shteteve të tjera në tokën gjermane, nëse kanë mbetur edhe më pak se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve në vendin respektiv, në këtë rast Kosovën.
Gazeta Express ka kontaktuar Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, për t’i pyetur se pse ambasadori Rohde po e nënvizon dhe specifikon një rregullore të tillë vetëm për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sebastian Leuschner nga Ambasada e Gjermanisë ka sqaruar se rregullorja gjermane për “takimet zyrtarëve të huaj me elektoratin e diasporës në Gjermani” daton nga viti 2022, prandaj ambasadori Rohde e ka nënvizuar se ajo vlenë për zgjedhjet që vijnë.
“Formalizimi i fundit i rregullores aktuale në lidhje me takimet e zyrtarëve të huaj me elektoratin e diasporës në Gjermani daton që nga viti 2022. Prandaj, Ambasadori saktë nënvizon vlefshmërinë e saj për periudhën e ardhshme zgjedhore”, ka theksuar Leuschner.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Kosovës në Berlin janë informuar disa muaj më parë për rregulloren përkatëse gjermane sa i përket fushatave të huaja zgjedhore në Gjermani.
Leuschner ka thënë se deklarata e ambasadorit Rohde është një kujtesë miqësore e rregullores së Gjermanisë dhe ka thënë se meqë deri në zgjedhjet e përgjithshme kanë mbetur më pak se 3 muaj, Gjermania s’mund të japë më leje për zhvillim të fushatave në tokën gjermane.
“Sipas rregullores gjermane, ngjarjet e fushatës së përfaqësuesve të vendeve të huaja kanë nevojë për leje nga qeveria gjermane para ngjarje të tilla. Në përgjithësi, lejet do të jepen vetëm deri në tre muaj përpara zgjedhjeve përkatëse. Pasi që zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbahen për më pak se 3 muaj, leja në përgjithësi nuk mund të jepet më. Deklarata duhet parë si një kujtesë miqësore e rregullores sonë”, ka thënë ai tutje.
Ky zyrtar i Ambasadës Gjermane ka sqaruar se kjo rregullore s’ndërlidhet me zgjedhjet që do të mbahen në Gjermani po ashtu në muajin shkurt. Sa i përket mundësisë së mosrespektimit të një rregulloreje të tillë, nga Ambasada Gjermane kanë thënë se Gjermania dhe Kosova janë aleatë të ngushtë dhe se kanë besim që të gjithë aktorët politikë në Kosovë do të respektojnë rregulloren gjermane për çështjen e zgjedhjeve.
“Gjermania dhe Kosova janë partnerë të ngushtë. Në këtë sfond, ne jemi të bindur se të gjithë aktorët politikë kosovarë do të respektojnë rregulloren gjermane në lidhje me fushatat e huaja zgjedhore në tokën gjermane”, ka përfunduar Sebastian Leuschner/Njeshi/