35 C
Pec
E mërkurë, 17 Korrik, 2024

Nuk kalon mocioni i PDK-së për tërheqjen e projekligjeve për KPK-në, KPM-në dhe Zyrtarët Publikë nga rendi i ditës

Partitë opozitare kanë kërkuar që të tërhiqen nga rendi i ditës Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionin e Pavarur të Mediave dhe ai për Shërbyesit civil.

Kërkesa e tyre nuk u miratua. Nga 77 deputetë të pranishëm, 21 deputetë votuan pro, 53 ishin kundër dhe një abstenim.

Ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ai i cili propozoi mocion përmbajtjesor që kërkonte ndryshimin e rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Tahiri ka kërkuar që të bëhet një rezolutë ku obligohet Qeveria e Kosovës që të tërheq nga rendi i ditës Projektligjin për KPK-në, KPM-në dhe Shërbyesit civil.

“Kërkojmë që përmes një rezolute ta obligojmë Qeverinë e Kosovës për tërheqjen e tri projektligjeve të cilat ne vlerësojmë që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Bëhet fjalë për Projetligjin për KPN-në, KPM-në dhe Shërbyesit civil që janë në kundërshtim me frymën kushtetuese në vendin tonë. Ne si opozitë nuk duam që thjeshtë ta kemi një betejë politike në këto tri projektligje mendoj që mundemi me punu së bashku sidomos në ligjin që cenon fjalën e lirë dhe mediat e lira në vendin tonë”, tha Tahiri.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kërkoi që këto tri Projektligje të tërhiqen nga rendi i ditës, pasi siç tha ai kanë përmbajtje antikushtetuese.

“Vlerësojmë që mocioni është i arsyeshëm. Këto tri ligje kanë përmbajte të theksuar kundër kushtetuese dhe si të tilla duhet të tërhiqen nga rendi i ditës dhe Kuvendi të mos i shqyrtojë në lexim të dytë”, tha Gashi.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se miratimi i këtyre ligjeve ka vetëm një synim kapjen e shtetit në mënyrë ligjore.

“Si opozitë mendojmë që kjo mundet me qenë një ndër seancat më të dëmshme të kësaj legjislature, sepse ka mundësi ti miratoj tri ligje që në esencë e kanë vetëm një qëllim kapjen e shtetit në mënyrë ligjore”, tha Tahiri.

Ndërkaq deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi tha se janë Projektligje të ndryshme për nga natyra.

“Nuk mund të kërkohet përmes rezolutës heqja e këtyre Projektligjeve nga rendi i ditës, për qka ne si grup parlamentar jemi kundër”, tha Rrustemi.

Ai tha se deputetët e opozitës kanë pasur mundësi të japin vërejtjet e tyre gjatë dy leximeve por se nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Ne ftojmë deputetët të ecin tutje me miratimin e tyre”, tha Rrustemi./Njeshi&Telegrafi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...