Kuvendi nuk e ka miratuar rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës përmes së cilës, ndër të tjera kërkohet shkarkimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Kjo rezolutë i ka marrë 26 vota për, 60 kundër dhe asnjë abstenim.
Votimi i kësaj rezolute ishte shtyrë për sot, për shkak se në seancën e mbajtur me 25 maj nuk kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve për ta hedhur këtë pikë në votim.
PDK përmes rezolutës e cila u prezantua nga deputeti Ferat Shala, kërkon nga Kuvendi dhe kryeministri Albin Kurti që në afat prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, ministrja të shkarkohet.
“Duke u mbështetur përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit të Kosovës për të mbikëqyrur punën e Qeverisë, duke parë me shqetësim paaftësinë dhe dështimin e ministres Rozeta Hajdari për udhëheqjen dhe menaxhimin efikas të ministrisë, Kuvendit i kërkojmë dhe kryeministrit që në afat prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, të marr vendim për shkarkim të ministres, Rozeta Hajdari”, ka deklaruar Shala.
Kuvendi është mbledhur sot për të shqyrtuar më shumë se 20 pika të papërfunduara nga seancat e kaluara./Njeshi/