Reflektim e politika më të mira po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës njohës të ekonomisë në vend. Kritikat janë shtuar pas publikimit të raportit të fundit nga Banka Botërore i cili nxori se vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.
Derisa Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësisë në rajon, njohësit e ekonomisë thonë se “nuk ka vend për mburrje sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë stimuj konkret për të rinjtë që të fillojnë një biznes në Kosovë.
Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se kjo çështje duhet të merret me seriozitet nga ana e institucioneve përgjegjëse.
Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë se raporti i Bankës Botërore duhet të jetë një shqetësim për qeverinë, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.
Në raportin e fundit, Banka Botërore vlerëson se shumica e ekonomive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përjetuan rritje të moderuar ekonomike gjatë vitit 2024, ndonëse paralajmëron se parashikimi për të ardhmen mbetet i pasigurt.
Parashihet që Kosova të ketë normën e rritjes ekonomike prej 3.8 për qind. Ndërkaq për vitin 2025, Kosova parashihet të ketë rritje 3.9 për qind.
Isolina Rossi, ekonomiste në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit tha se “pavarësisht perspektivës pozitive, rajoni vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta, pasiguritë politike dhe ngjarjet ekstreme të motit”. /Njeshi/