11.8 C
Pec
E mërkurë, 17 Prill, 2024

O’Brien i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime konkrete për dinarin

Ndihmës Sekretari i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James O’Brien dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar janë deklaruar përmes përmes një video-lidhjeje për zhvillimet e fundit. Escobar qe i pranishëm por fjalën e mori O’Brien.

Biseda pati në fokus Ballkanin. O’Brien diskutoi për 25-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në territorin e Kosovës ndaj objektivave ushtarake dhe policore serbe, dhe rrugën më të qëndrueshme dhe të sigurtë drejt Ballkanit Perëndimor.

“Jemi të gjithë bashkë. Vendimi për të përdorur forcë atëkohë nga NATO-ja, ishte i obligueshëm. Besuam se ishte i vetmi veprim që duhej marrë për të ndaluar atë që po ndodhte në Kosovë. Në fund, gjetëm paqe dhe njerëzit u kthyen nëpër shtëpitë e tyre. Vendimi për të vepruar me forcë, ishte vendimi që sot festojnë 25-vjetorin. Të gjitha qeveritë e atëhershme punuan bashkë për të ndaluar dhunën. Tash jemi në një situatë ku vendet e Ballkanit Perëndimor duan të bashkohen në Bashkimin Evropian”, u shpreh O’Brien.

Raportet mes Kosovës dhe Serbisë

Kosova dhe Serbia, tha Ndihmës Sekretari i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James O’Brien, duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Pas një pyetjeje, ka komentuar pak edhe pamjet që ka publikuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke alarmuar se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, duke shtuar se është i vetëdijshëm se “Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme”.

“Po punojmë me qeveritë për të gjetur zgjidhje. Vuçiqi e di mirë se çfarëdo përdorimi i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm dhe kjo i vë në rrezik ushtarët e NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare. Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Çështja është se të dyja palët duhet të punojnë. E kemi bërë të qartë që individët që morën pjesë në sulmin e shtatorit (në Banjskë) duhet të dalin para drejtësisë dhe kjo do të bëhet”, u shpreh O’Brien.

Çështja e dinarit

Gjithashtu, James O’Brien në video-lidhje me gazetarët foli edhe për çështjen e dinarit.

Ai ka thënë se SHBA-ja vazhdon të përkrahë Kosovën në synimet e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por që Kosova ka bërë zotime lidhur me Asociacionin dhe se “kjo është pika kritike për të arritur atë që e ka synuar, e që në këtë rast është anëtarësimi”.

“Po shpresojmë që në ditët e ardhshme, Kosova do të marrë veprime konkrete për dinarin, që lidhen me këshillat tona. Çfarë duam të shohim është… progres. Kjo është edhe ajo në çka po punon i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak. Kosova është edhe pak hapa larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës, një prej tyre ishte vendimi për Manastirin e Deçanit. E kemi mirëpritur këtë veprim. Mori kohë, por megjithatë u mor vendimi. Po ashtu Kosova duhet të lëvizë përpara me themelimin e Asociacionit para se Këshilli i Evropës të vendosë për anëtarësim. Ne e mbështesim Kosovën në rrugën drejt anëtarësimeve. Por Qeveria e Kosovës duhet të marrë edhe veprime të vështira ndonjëherë”, u shpreh O’Brien, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Miqtë e Kosovës tani po thonë që do të dëshironin që kjo rregullore të rishqyrtohej dhe të zbatohej ashtu që u mundëson qytetarëve të vet që të paguajnë për gjërat e përditshme. Kjo nënkupton marrjen e një hapi mbrapa, lejimin e hyrjes së ndonjë valute, euro, dinarë, kjo është diçka për të cilën po diskuton Lajçak”, tha O’Brien/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...