9.8 C
Pec
E martë, 21 Mars, 2023

Opozita e akuzon Kurtin për gabim historik, LDK thotë se nuk do ta votojë në Kuvend ujdinë e 27 shkurtit

“Gabim historik” e ka quajtur, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, marrëveshjen e pranuar nga kryeministri Kurti, në Bruksel në bazë të Planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Këtë marrëveshje edhe sot, i pari i LDK-së e ka cilësuar si lëshimin më të madh dhe gabim historik në procesin e dialogut.

“Pa paragjykim ndaj statusit’ – kështu nisë marrëveshja e Kurtit me Vuçiç. Ky formulim, në preambulë, neutral ndaj statusit, është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut. Është barazim i refuzimit serb ndaj pavarësisë me vet aktin e shpalljes së pavarësisë. Madje edhe marrëveshja e fusnotës kishte referencë interpretimin e GJND-së ndaj pavarësisë sonë. Ky është një gabim historik. Ne pritëm një marrëveshje për njohje, ky na solli një që i vë dykuptimësi statusit politik të vendit tonë”, ka thënë Abdixhiku, në Gjilan, në kuadër të ciklit debutues e diskutues “LDK ju dëgjon”, si dhe me rastin e 33 vjetorit të themelimit të LDK-së.

Ai e ka vlerësuar marrëveshjen të rrezikshme për vendin tonë.

“Në marrëveshjen me neutralitet ndaj statusit e me tejkalim të së kaluarës si vlerë, kryeministri i Kosovës i ka hapur dy dyer të rrezikshme për vendin. E para ka të bëjë me një organizim vetmenaxhues që është më shumë se Asociacion. E dyta ndërsa me Statusin Politik të Kishës Ortodokse Serbe. Shihni problemet në vendet fqinje për të kuptuar përmasën e këtij lëshimi”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku, po ashtu ka thënë se LDK do ta votojë kundër këtë marrëveshje po të vijë në Kuvend.

“Dhe po të vijë në Kuvend to ta votojmë kundër. Nuk pranojmë një marrëveshje të tillë asnjëherë si Lidhje Demokratike e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku gjatë ditës së sotme.

Se kjo marrëveshje është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut me Serbinë për shkak të, siç u tha, neutralitetit ndaj statusit të Kosovës si dhe dështimit për një marrëveshje reciproke, e në anën tjetër pranimit të Asociacionit, e ka thënë gjatë kësaj jave edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

I pari i PDK-së tha se marrëveshja e arritur në Bruksel nuk mund të hyjë në fuqi pa u ratifikuar në Kuvend. Të njëjtën e cilësoi edhe si “të degraduar”.

Sipas Krasniqit, Kosova nuk është palë fituese në këto negociata.

“Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin”, ka thënë ai.

Lideri opozitar ka thënë se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë si kriter për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve.

“Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE”, është shprehur ai.

Ndër pikat që ka nxitur më së shumti reagime është ajo nga neni shtatë, i cili kërkon që “të dyja palët të angazhohen që të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Paragrafi i dytë i këtij neni thotë se palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

Opozita paraqiti shqetësime të mëdha rreth këtij neni.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se neni 7 i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë është shumë problematik.

Krasniqi ka thënë se ky nen është shumë më problematik sesa ai që flet për Asociacionin.

“Neni 7 është jashtëzakonisht problematik. Shumë më problematik se neni 10 që flet për Asociacionin. Është e vërtetë Asociacioni është obligim i shoqëruar dhe si i tillë do të kishte kuptim në kuadër të një marrëveshje finale që e sjell njohjen e ndërsjellë. Nuk po e akuzojmë që e ka sjellë kryeministri. Nuk ka lidhje pse i ndërron fjalët. I ka ndërru fjalët për 100 sende, ky edhe për këtë që e ka ndërru fjalët nuk është fundi i botës. Por, neni 7 nuk flet për kompetenca të qeverisjes lokale sepse këto i kanë komunitetet e Kosovës, bazuar në pakon e Ahtisarit. Nuk flet as për kornizën vetëqeverisjes lokale sepse në draftin e kaluar ka qenë i theksuar kjo konventë kornizë”, u shpreh Krasniqi.

E në anën tjetër, për kryeministrin Kurti i vetmi nen ku ka një problem në këtë marrëveshje është ai që lidhet me obligimet e trashëguara e për të cilat ka një konsensus ndërkombëtar që ato duhen zbatuar.

“Është neni 10 i marrëveshjes, fjalia e fundit. Përmban normën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhen zbatuar. Këtë duhet ta kuptoni si një detyrim ndaj tërësisë dhe paqartësisë që e shoqëron në tërësi e jo si diçka të veçantë ndaj një elementi të një marrëveshje, natyrisht e kam fjalën për marrëveshjen Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013 e të ratifikuar në këtë Kuvend e të zgjeruar me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq më 25 gusht 2015 mbi Asociacionin. Pra, marrëveshja bazë nuk i veçon elementet, por i vendos ato në një normë të tipit kategori”, u shpreh mes tjerash kryeministri.

I pari i Qeverisë ka sqaruar po ashtu edhe pikën e shtatë të propozimit evropian, apo Neni 7 në Marrëveshjen Bazike, ku flitet për “sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Kurti tha se në nenin 7 të propozimit flitet për komunitetin serb dhe jo për komunat me shumicë serbe.

“Ne nenin 7 flitet për komunitetin serb. Pra komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe. Janë dy gjera të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahtisarit edhe në Kushtetutë. Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb duhet hartuar në përputhje me të drejtat e Këshillit të Evropës”, deklaroi Kurti në seancën plenare të kësaj jave ku raportoi mbi dialogun me Serbinë.

Ndryshe, zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.

Bashkimi Evropian  pas takimit të së hënës,tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, gjë që do të kërkojë më shumë bisedime.

Kurti dhe Vuçiq priten të takohen sërish më 18 mars në Ohër./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...