7 C
Pec
E shtunë, 2 Mars, 2024

Opozita për dinarin/ Albin Kurti po bën aventura politike për interesa elektorale, po i prish raportet me ndërkombëtarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy ditë më parë deklaroi se Qeveria që ai udhëheq dhe institucionet e tjera kanë gatishmëri që të adresojnë “në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim” të ngritur lidhur me çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë.

Por, pavarësisht kësaj ambasadori i ShBA-së, në Kosovë Jeffry Hovenier po kërkon që vendimi i BQK-së i cili ka hyrë në fuqi më 1 Shkurt të këtij viti të pezullohet.

Hovenier tha se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.

Më herët, edhe Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosshtyrjen e zbatimit të rregullores.

Nga opozita po thonë se duhet të gjendet zgjidhje për këtë çështje në mënyrë që vendi mos të futet në kaos, derisa nga partia në pushtet nuk janë deklaruar rreth kësaj teme.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka deklaruar se si parti janë të shqetësuar me ngjarjet që po ndodhin në vend anipse thotë se Kushtetuta e Kosovës duhet të respektohet.

Deputetja Kadrijaj, po kërkon që Qeveria duhet të ulet me partnerët ndërkombëtarë dhe të gjejnë një zgjidhje.

“Me të vërtetë jemi në një situatë të pa lakmuar, situatë të padëshiruar dhe unë mendoj që Qeveria duhet të ulet me aleatët tonë dhe ta gjejnë një zgjidhje dhe mos ta fut vendin në një kaos që është vështirë me dal”, është shprehur ajo.

E, të gjitha këto vendime të Qeverisë, sipas Kadrijajt, janë populliste dhe po bëhen për çështje elektorale.

“Ne po e kuptojmë që Qeveria po merret me vendime populliste dhe veprime elektorale, por nuk është e drejtë që të prishen raportet me aleatët tonë ndërkombëtar. Kosova vetëm është e sanksionuar dhe kah po e çon Kosovën kjo Qeveri. Tjetër është të udhëheqësh me një parti politike dhe tjetër është të kesh përgjegjësi e lidership dhe ta udhëheqësh një shtet”, ka shtuar ajo

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti deklaron se ndërkombëtarët janë shqetësuar për vendimin sa i përket ndalimit të përdorimit të dinarit serb pasi që është marrë para kohe.

Ai  thotë se për këtë çështje është dashtë të bisedohet dhe të kishte hapësirë kohore.

Kurse, sa i përket deklaratave të ambasadorit amerikan në Kosovë Hovenier i cili ka paralajmëruar pasoja në rast se nuk dëgjohen kërkesat e SHBA-së, Haliti ka pohuar se nëse kjo e fundit vendos masa ndaj Kosovës do të ishte një katastrofë.

“Unë nuk pres, dhe po besoj që nuk do të duhej që qeveria e ShBA-së të merr masa kundër Kosovës. Ndoshta, kundër individëve të cilët janë të papërshtatshëm dhe nuk iu përmbahen atyre negociatave dhe shkelin ligjet, e ku ta di unë është një çështje tjetër por sa i përket masave në këto rrethana atëherë do të ishte katastrofë për Kosovën”, ka deklaruar Haliti.

Deputeti Haliti, thotë që dëshiron të besoj se aventura politike për interesa elektorale duhet të ndërpritet.

“Unë shpresoj dhe po dua që të besoj se aventura politike për interesa elektorale të ndërpriten dhe të bëhet një marrëveshje në mes të vendeve të QUINT-it dhe ambasadorit të ShBA-së dhe të funksionojë normalisht dhe të lihet një hapësirë kohore kur të hyj në fuqi ky vendim”, ka shtuar ai.

Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa.

Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucionet serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë./Njeshi&FO/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...