Tash e një kohë nga hapësirat e Pallatit të Rinisë po kumbojnë ritme melodish të përgatitjeve e provave për Festivalin e Këngës të Radiotelevizionit të Kosovës.
Orkestra e drejtuar nga drejtori artistik Florent Boshnjaku, do të shoqërojë 18 këngët garuese si dhe performancat e mysafirëve të edicionit të parë.
Mjeshtëritë e muzikës Alfred Kaçinari, Valton Beqiri e Edon Ramadani do të dirigjojnë këngët garuese, e që nëpërmjet profesionalizmit të tyre do të shpërfaqin harmoninë muzikore nëpërmjet melodive të instrumentistëve. Treshja e njëjtë prin edhe në dirigjimin e këngëve të ftuara.
Në Festivalin e Këngës nuk mungojnë as orkestrimet me finesë. Visar Kuçi, Valton Beqiri, Edon Ramadani, Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari e Florent Boshnjaku janë orkestruesit që kanë arritur që këngët autentike të këngëtarëve mysafirë si dhe krijimet e moçme të atyre që lanë histori në muzikën shqipe e që nuk jetojnë më, t’i sjellin në versione moderne.
Jo më pak për nga rëndësia janë instrumentistët, ku violina, viola, celo, trumbeta, tromboni, saksofoni, piano, kitara, sinti, perkusionet e bateritë janë shoqëruesit muzikor për kujtimin e parë të festivalit. Instrumentet e tyre nga java e ardhshme do të dëgjohen në provat që do të zhvendosen në hapësirën ku do të mbahet Festivali.
Edicioni i parë i Festivalit të Këngës do të mbahet në datat 26, 27 e 28 tetor, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Kosovë, në RTK si dhe në platformat e rrjeteve sociale. /Njeshi/