Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nder të 28 Nëntorit, ka bërë sot komazhe në Prekaz.
Me rastin e ditëlindjes së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, presidentja ka thënë se ai ishte zemra e luftës sonë, simboli i rezistencës dhe flakadani i përjetshëm i lirisë sonë.
“I lindur më 28 Nëntor, në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, komandanti legjendar Adem Jashari ishte njeriu i destinuar për madhështi. Kjo ditë e shenjtë për kombin tonë, mori kuptim edhe më të madh me lindjen e kryekomandantit dhe me përkushtimin e palëkundur ndaj idealeve të lirisë dhe pavarësisë kombëtare.
Adem Jashari është zemra e luftës sonë, simboli i rezistencës dhe flakadani i përjetshëm i lirisë sonë.”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka shkruar edhe për daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë ditë, kur UÇK-ja doli për herë të parë publikisht, në mesin e qyetarëve të shumtë, nderuam jo vetëm ditën e lindjes së komandantit legjendar, por edhe veprën dhe sakrificën e tij dhe të ushtrisë së cilës i priu edhe idealeve për të cilat dha gjithçka. Adem Jashari është hero i përjetësisë, njësoj sikurse UÇK-ja e përjetshme! Ai është i gjallë!”, ka shkruar ajo./Njeshi/