Gjatë ditës, Presidentja Vjosa Osmani ka bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për nder të festës së 28 Nëntorit.
Para gazetarëve, e para e shtetit ka thënë se festa e 28 Nëntorit është simbiozë e disa datave historike.
Osmani tha se kjo festë i sjell në Prekaz, jo vetëm për të treguar madhështinë e sakfricën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari, por edhe “për t’u betuar para varreve të tyre që do ta mbrojmë çdo cep të Republikës”.
“Kjo festë e cila është simbioze e disa datave historike, natyrisht shpallja e pavarësisë së Shqipërisë por njëkohësisht edhe ditëlindja e komandantit Legjendar Adem Jashari dhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat na sjellin këtu në Prekaz, në vendin e qëndresës historike edhe njëherë për të treguar jo vetëm madhështinë dhe përjetësinë e sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, por për t’u betuar edhe një herë para varreve të tyre që do ta mbrojmë në mënyrë të pa kompromis çdo cep të Republikës sonë, do ta mbrojmë në mënyrë të pa kompromis lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe njëkohësisht do të bëjmë çmos që shqiptarët gjithë andej kudo që jetojnë ata, t’i kenë të drejtat e tyre të garantuara”, tha Osmani para gazetarëve në Prekaz.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.
Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.
Festa e 28 Nëntorit shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ku organizohen aktivitete të ndryshme./Njeshi/