Presidentja Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj për mikpritjen dhe mbështetjen e dhënë gjatë Forumit Diplomatik të Antalyas, duke theksuar rolin e rëndësishëm të kësaj platforme në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.
“Një falënderim i veçantë për Presidentin Erdogan, Zonjën e Parë Emine Erdogan dhe të gjitha institucionet turke për mikpritjen dhe mbështetjen e shtetit tonë përgjatë Forumit Diplomatik të Antalyas, e cila është një platformë e rëndësishme për t’i thelluar raportet tona me aleatët tanë dhe për të krijuar partneritete të reja,” deklaroi Osmani.
Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e njohjes së Kosovës nga Sudani dhe diskutimeve të zhvilluara me përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e saj.
Takimet me partnerë të shumtë gjatë forumit, sipas Osmanit, janë dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për ndërtimin e miqësive të reja dhe forcimin e aleancave ekzistuese.
“Kosova çdo ditë e më shumë po e fuqizon pozitën e saj në arenën ndërkombëtare falë punës së pandalshme dhe mbështetjes së miqve që gjithnjë na qëndruan pranë,” përfundoi Osmani.