1.1 C
Pec
E martë, 31 Janar, 2023

Osmani i reagon ashpër Thaçit për largimin e vulës së Rugovës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ashpër ndaj heqjes së vulës presidenciale nga dekoratat dhe komunikimet zyrtare nga ana e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një intervistë për Indeksonline deputetja Vjosa Osmani thotë se ky është një akt i ulët dhe i paprecedent i cili degradon edhe më tutje institucionin e presidentit.

“Ky është një akt shumë i ulët që e degradon institucionin e presidentit edhe më tej pra presidenti Thaçi përveçse ka dëshmuar në këto tri vjet se nuk është faktor uniteti, nëpërmjet veprimeve të tilla, ai po dëshmon që përkundër hipokrizisë që po tenton ta shes kohë pas kohe duke u përkulur te varri i presidentit Rugova, në fakt ai asnjëherë nuk ka mundur ta tejkaloj armiqësinë që e ka ndier në raport me presidentin historik dhe veprën e tij. Këtë armiqësi dhe padurim që Thaçi e ka ndaj presidentit historik, Ibrahim Rugova e dëshmoi edhe me këtë veprim ku ka larguar vulën presidenciale e ideuar nga Rugova, nga të gjitha medaljet, madje siç jemi informuar nga mediat, në këtë rast nga Indeksonline, stema e Presidentit Rugova është hequr edhe nga kartat që lëshohet për gazetarët që akreditohen për të përcjellë ngjarjet e presidencës. Është në veçanti e papranueshme që këto simbole janë larguar edhe nga medalja “Ibrahim Rugova”, një medalje që deri vonë ka pasur në të portretin e presidentit Rugova , kurse tani është larguar edhe portreti edhe vula presidenciale. Veprimet e tilla janë të papranueshme sepse është krejtësisht normale që për çdo shtet, përveç flamurit dhe logos shtetërore, zyra e presidentit përdor edhe flamurin presidencial e edhe logon presidenciale”, – ka deklaruar deputetja Osmani.


Deputetja e LDK-së e cila ka qenë edhe këshilltare e ish presidentit, Fatmir Sejdiu thotë se këto simbole janë trashëguar nga ish- presidenti Ibrahim Rugova dhe ato nuk janë ndryshuar e as hequr asnjëherë madje thotë se këtë gjë një herë kishte tentuar ta bëjë ish-Presidentja Atifete Jahjaga.


“Ato pra, që nga koha e presidentit Rugova janë trashëguar, janë përdorur pastaj edhe nga presidentët e tjerë, ka pasur një tentim një herë që të largohen nga dokumentet në kohën e presidentes Jahjaga, mirëpo pas reagimit tonë ato janë rikthyer në dokumente. Për aq sa kam njohuri, shumica dërmuese e formatit të medaljeve janë trashëguar, ato që janë përdor nga presidenti Rugova janë vazhduar me formate të njëjta apo të ngjashme, nëse është ndryshuar diçka ka qenë komplet çështje teknike, pas pavarësisë normal që është shtuar edhe logoja shtetërore sepse deri më 2008 ajo as nuk ka ekzistuar, megjithatë në fokus të presidencës së udhëhequr nga Fatmir Sejdiu ka qenë gjithnjë që të respektohet vula presidenciale e ideuar nga Rugova dhe ajo vazhdimisht është përdor edhe në dokumente që i ka nënshkruar presidenti kur janë dërguar brenda vendit, por edhe në medalje që janë ndarë nga ana e tij, apo dokumente tjera”, ka thënë ndër të tjera deputetja e LDK-së.

Vjosa Osmani thotë se është joserioze për vet institucionin e presidentit të bëjnë ndryshime të tilla sepse këto stema vendosen një herë dhe nuk mund të bëhen ndryshime të tilla sa herë që vije një president tjetër vetëm për teket dhe inatet e tij personale.

“Është hera e parë që një president, në këtë rast presidenti Thaçi po i largon këto vula presidenciale nga këto medalje dhe certifikata. Është tejet joserioze nëse i shohim shtetet që kanë demokraci të zhvilluar, ku pavarësisht kush zgjedhet e respekton institucionin që e udhëheq, e shohim që çoftë flamuri apo logoja presidenciale vazhdojnë me qenë të njëjtat”, ka thënë ajo.

Deputetja Osmani e cila në zyrën e saj është e rrethuar me portrete dhe simbole të ish presidentit Ibrahim Rugova thotë se është mirë që presidenti Thaçi nuk do të qëndroi kohë të gjatë aty dhe paralajmëron se LDK do të punoj që këto simbole do të rikthehen në presidencë. Vjosa Osmani thotë se presidenti Hashim Thaçi e ka degraduar edhe vet aktin e dekorimit duke ndarë medalje të shumta pa i përfillur aspak kriteret. 

“Për më tepër, edhe vet aktin e dekorimit presidenti e ka degraduar duke mos e përfillur asnjë kriter, megjithatë është mirë që nuk do të jetë aty gjithmonë dhe besoj se një president i ardhshëm do të ketë edhe përkrahjen qytetare dhe një përkrahje më unanime politike që do të vije aty duke u marr parasysh vullneti i lirë e jo nën presion i njerëzve që e zgjedhin dhe do ta rikthej medaljen presidenciale të Rugovës aty ku e ka vendin. Sa na përket neve LDK-së, ne e respektojmë flamurin tonë shtetëror, flamurin e Republikës së Kosovës, mirëpo në të njëjtën kohë për ne në aspektin shtetëror lidhja është edhe me flamurin Dardan që është edhe arsyeja pse e përdorim dhe e mbajmë në zyrat tona. Mirëpo në aspektin institucional, është obligim i zyrës së presidentit që ta vazhdoj këtë traditë dhe ashtu si e kanë mbajtur këtë logo e këtë stemë presidentët paraprak, ashtu e kanë për obligim edhe presidentet e ardhshëm”, ka thënë në fund deputetja Osmani. /Njeshi&Indeksonline/

]]>
- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...