Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar se Republika e Kenias e ka njohur pavarësinë e Kosovës, teksa ka publikuar edhe vendimin e nënshkruar nga Presidenti William Ruto, që thotë se është dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë.
Osmani ka thënë se kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial.
“Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, shpreh falënderime të sinqerta ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik.
Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të, dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka shprehur mirënjohje edhe për ish-Ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin.
“Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenias do të thellohen në fusha të ndryshme, ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë”, ka shkruar Osmani./Njeshi/