15 C
Pec
E mërkurë, 22 Maj, 2024

Osmani: Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova nuk po e kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku, ku Osmani u përballë të hënën me presidentin e Serbisë në takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ajo tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur fillimisht një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia më 2023.

“Marrëveshja nuk ka vetëm nenin e Asociacionit; ka edhe nenet e tjera, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga Serbia që të njohë sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, që mos të përdorë dhunën si mjet, apo forcën si mjet për raporte ndërshtetërore dhe kërkon në Nenin 4 që të mos krijojë pengesa, apo mos të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Pra, e vetmja që Kosova po kërkon është që marrëveshja të zbatohet në tërësi e jo vetëm nga njëra palë të kërkohet zbatim i plotë, kurse nga ana tjetër mos të kërkohet zbatimi i asnjërës prej dispozitave. Pra Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta. Thjesht po kërkojmë që marrëveshja të jetë marrëveshje dhe të krijojë detyrime për të dyja palët, se përndryshe e humbet kuptimin edhe marrëveshja edhe dialogu”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se Serbia sërish do të tentojë sulme ndaj Kosovës, si rasti i 24 shtatorit në Banjskë.

“Një gjë e tillë do të tentohet sërish nga Serbia, sepse vazhdimisht bëhen planifikime të tilla, por jam e bindur me të gjitha përgatitjet që po i bën policia e Kosovës, në partneritet me prezencën ndërkombëtare, në veçanti me EULEX-in dhe NATO-n, si përgjegjës të dytë dhe të tretë për sigurinë në Kosovë, që ne do të parandalojmë çdo sulm”, ka thënë ajo.

Lidhur me votimin për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë të katër komunave veriore, Osmani ka thënë se Kosova ka ofruar gjithçka nëpërmjet legjislacionit të saj, por nuk mund t’i detyrojë qytetarët të dalin në votim.

“Kemi bërë përgatitje jashtëzakonisht të shumta, kemi miratuar udhëzime të reja administrative. Kemi ndarë buxhet të madh, pra gjithçka që ofrohet në vende demokratike, ne e kemi ofruar.

Ne nuk mund t’i nxjerrim qytetarët me zor që të votojnë. Ata kanë vendosur ashtu, edhe pse po e them për shkak të ndërhyrjes të paligjshme të Serbisë. Megjithatë, ky është një realitet për të cilin Kosova ka bërë gjithçka që ta ndryshojë. Mirëpo zgjedhjet janë e drejtë demokratike e qytetarëve.

Në qoftë se ata nuk marrin pjesë, nuk ka çfarë mund të bëjmë ne. Natyrisht ne duhet të ndërmarrim sa më shumë iniciativa shtesë për integrimin e serbëve, t’i mbrojmë ata nga strukturat ilegale të cilat po i kërcënojnë, t’u japim mundësi që të prosperojnë, të realizojnë potencialin e tyre ekonomik, të ndihen sa më të sigurt, njëjtë si të gjithë të tjerët në Kosovë, mirëpo e drejta e votës është individuale.

Nuk mundet shteti të detyrojë askënd të votojë, është e drejtë e lirë”, është shprehur Osmani./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...