Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim zyrtar Guvernatorin e Përgjithshëm të Antigua dhe Barbuda, Sir Rodney Errey Lawrence Williams, i cili po qëndron për vizitë në vendin tonë.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shprehur kënaqësinë për këtë takim dhe ka falënderuar mikun nga Karaibet për njohjen që shteti i tij i bëri Kosovës në vitin 2015.
“Shpreha mirënjohjen e thellë për njohjen që vendi i tij i bëri Kosovës në vitin 2015, një akt që forcoi pozitën tonë ndërkombëtare dhe dëshmoi mbështetje parimore për shtetësinë tonë,” ka shkruar Osmani.
Në takim, është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët, përfshirë mbështetjen e mëtejshme të Kosovës brenda komunitetit rajonal të Karaibeve – CARICOM.
“Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt një partneriteti më të fuqishëm në mes shteteve tona,” theksoi Presidentja Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e zgjerimit të marrëdhënieve diplomatike dhe miqësore me vendet që kanë treguar përkrahje për shtetësinë e Kosovës.