Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka udhëtuar në Dubrovnik për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore.
Në këtë samit, Osmani do të pritet nga kryeministri kroat Plenkoviq dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa do t’u bashkohet liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore në seancën plenare.
Gjatë këtij samiti, pritet të riafirmohet mbështetja e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, rëndësia e sanksioneve kundër Rusisë, bashkëpunimi me BE-në dhe mbështetja e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën.
Përveç pjesëmarrjes në seancën plenare ku presidentja do të mbajë një fjalim, ajo do të zhvillojë takime edhe me homologët e saj. /Njeshi/