Më datë 5 nëntor 2024, Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar ftesë nga Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, për të marrë pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor më 3 dhjetor në Bruksel.
Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Osmani, tha se për shkak të agjendës ndërkombëtare të paracaktuar dhe vizitës shtetërore tashmë të konfirmuar në Brunei, ku Osmani do të udhëtojë me ftesë të Sulltanit të Bruneit më datë 2-3 dhjetor 2024, kabineti i Presidentes e ka informuar kabinetin e Presidentit Costa për pamundësinë e pjesëmarrjes kësaj radhe.
“Rrjedhimisht, si rezultat i kësaj, është rënë dakord që ftesa të delegohet tek institucionet e tjera në Kosovë”, ka thënë Kupina.
Më tej, ai thotë se meqë presidentja Osmani do të përfaqësojë Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 18 dhjetor (ftesë tashmë e dërguar dhe konfirmuar), me qëllim të përgatitjeve dhe koordinimit sa më të mirë, “Presidentja është dakorduar me institucionet e BE-së që të vizitojë Brukselin më datë 4 dhjetor (pra do të udhëtojë direkt nga Brunei) ku me Presidentin Costa dhe institucione të tjera të BE-së do të diskutojnë për pritshmëritë nga ky Samit”./Njeshi/