2.8 C
Pec
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Osmani: Të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës të gëzojnë sigurim shëndetësor të detyrueshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot mori pjesë në tryezën e diskutimit për të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Në tryezën e Avokatit te Popullit, Presidentja e ka ngritur çështjen e nevojës për mbulimin e sigurimit shëndetësor nga shteti për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Projektligjin për Sigurimin Shëndetësor të Detyrueshëm.

Osmani tha se të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë dëshmi e forcës së shpirtit njerëzor dhe e qëndrueshmërisë, pavarësisht momenteve të rënda në orët më të rënda të historisë sonë.

“Secila prej këtyre rasteve nuk është thjesht një statistikë, por një jetë e ndryshuar, një histori i dhimbjes së paimagjinueshme dhe një rrugëtim drejt drejtësisë së vonuar, por të domosdoshme. Më duhet ta pranoj se nuk është asnjëherë e lehtë për të gjetur fjalët e duhura dhe të mjaftueshme për ta nderuar forcën, qëndrueshmërinë dhe kurajon e gjithë atyre që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës. Por, ato nuk u ndalën duke u shndërruar në një prej zërave më të fuqishëm për drejtësi brenda Republikës sonë”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka thënë se “përgjatë këtyre 25 viteve pas luftës, ne kemi mbajtur gjallë kujtimin e dhimbjes së të kaluarës, por po ashtu kemi treguar se, pavarësisht kësaj dhimbjeje, ekziston guxim, shpresë e mbi të gjitha vendosmëri e pathyeshme për drejtësi”.

“Përderisa krimi i dhunimit është pjesë e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, madje edhe element i gjenocidit dhe që të tria sipas Drejtës Ndërkombëtare nuk kanë afat të parashkrimit. Pra, akoma kemi raste ku ndiqen krimet që janë kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore, sepse nuk parashkruhen kurrë dhe e tillë është paraparë edhe në legjislacionin tonë, atëherë edhe institucionet që merren me verifikimin e statusit të grave apo burrave të dhunuar duhet ta kenë mandatin pa afat të caktuar”, tha ajo.

Osmani ka ngritur çështjen që ka të bëjë me mbështetjen në përgjithësi të mbijetuarave të dhunimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Për momentin në Kuvendin e Kosovës është Ligji për Sigurimet e Detyrueshme Shëndetësore, pra është mbështetja shëndetësore që shteti e ka detyrim t’ua jap kategorive të caktuara pa pagesë. Sepse, siç e dini në momentin kur të hyjnë në fuqi sigurimet shëndetësore gati se të gjithë do të kenë detyrime për të paguar, siç edhe pritet, siç është edhe në shtete tjera, megjithatë ka kategori të caktuara të cilat shteti e ka detyrim t’i mbështes”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, është një kategori aty që parashihet ku mbështetja e detyrueshme shëndetësore u jepet me të drejtë viktimave të dhunës mbi baza gjinore, që mund të ndodhë tani ta zëmë. “U jepet mbështetje pa plotësuar do të thotë kritere të tjera, përveç që dëshmojnë statusin e tyre invalidët e luftës me të drejtë. U jepet mbështetje e detyrueshme shëndetësore nga shteti të burgosurve, sepse po supozoj arsyeja është sepse nuk kanë mundësi tjetër të marrin shërbime shëndetësore. Kurse, për viktimat e dhunës gjatë luftës kërkohen kritere shtesë, në mënyrë që atyre t’u jepet mbështetje e detyrueshme shëndetësore nga shteti, vetëm në qoftë se ato e dëshmojnë statusin e varfërisë”.

“Kjo është diskriminuese dhe është e papranueshme. Prandaj, më lejoni që ta shfrytëzoj këtë mundësi që t’u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës që mos ta votojnë një ligj të tillë në draftin aktual. Nuk ka asnjë kuptim që viktima që dhunohet ta dëshmojë statusin e varfërisë. Mirëpo, dikush që është dhunuar gjatë luftës, të kërkohet që vetëm në qoftë se është e varfër, të marrë mbështetjen e detyrueshme shëndetësore?”, ka thënë presidentja.

“Pra, në qoftë se nuk e dëshmon statusin e varfërisë, nuk po mjaftuaka që e dëshmon statusin që ka qenë e dhunuar gjatë luftës. Është situatë e papranueshme dhe shpresoj që të rregullohet para se të votohet një ligj i tillë në Kuvend”, tha Osmani. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...