Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datën 15 prill.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, ka thënë Presidenca.
Vendimi i Osmanit erdhi pas certifikimit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 mars.
Çfarë ndodh në seancën konstituive?
Seanca konstituive përgatitet nga kryetari i legjislaturës së mëparshme, i cili pesë ditë para mbajtjes së seancës duhet të thërrasë në mbledhje kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për të përgatitur një rend dite.
Rendi i ditës duhet të përfshijë formimin e një komisioni të përkohshëm që bën verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve të rinj, zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve, votimin e raportit të komisionit të lartpërmendur dhe përcaktimin e vendeve të deputetëve në sallë, sipas fuqisë politike.
Seanca konstituive kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.
Ligjet nuk parashohin që gjatë seancës nuk mund të ketë debat.
Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin – ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese – dhe partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Nënkryetarët, ndërkaq, propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb.
Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
“Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit.
Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate tetë vende. /Njeshi/