11.8 C
Pec
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Osmani: Vepra e familjes Jashari-testament për fuqinë e shpirtit njerëzor

Presidentja Vjosa Osmani, në seancën solemne dedikuar 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se vepra e familjes Jashari është testament për fuqinë e shpirtit njerëzor, teksa ka dhënë mesazhin e unitetit për çështje kombëtare të Republikës së Kosovës.

“Republikës do t’i shërbejmë me devotshmëri, ashtu siç i shërbyen të gjithë të rënët. Vepra e Adem Jasharit dhe gjithë familjes është testament për fuqinë e shpirtit njerëzor, një kujtesë se edhe në orët tona më të errëta ne gjejmë forcë si popull për t’u ngritur mbi rrethana të rënda dhe për të luftuar për atë që besojmë”, ka deklaruar Osmani përballë familjes Jashari.

Ajo ka thënë se Kosova meriton çdo ditë përkushtim të palëkundur.

“Përpjekja jonë e përbashkët në këtë proces nuk ka mbaruar. Tani më shumë se kurrë uniteti për çështjet e interesit kombëtar është i domosdoshëm sepse është mjeti i vetëm për ta forcuar shtetin tonë dhe për ta nderuar kujtimin e atyre që u sakrifikuan për Republikën tonë. Na takon neve ta shkruajmë kapitullin tonë të ri të historisë së shtetit tonë: atë të zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.

Presidentja tutje e ka quajtur familjen Jashari si gardian të përhershëm të lirisë, ndërkaq pragun e shtëpisë së tyre si simbol të vet Kosovës.

“Marsi është muaji i skalitur në analet e luftës së kombit tonë për liri, një muaj kur shpirti i paepur i Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Prandaj ‘Sërish vjen marsi’ nuk është më veç një refren kënge, është moto e kujtesës dhe nderimit të luftës tonë për liri e pavarësi, e cila padyshim identifikohet me kryepersonazhin e luftës sonë, komandantin legjendar Adem Jasharin, familjen e tij dhe të gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ajo. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...