Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur lidhur me pozicionimin e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.
Në një intervistë për “La Republica”, Osmani ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po e mendon aneksimin e Kosovës me armë ruse, sipas modelit të Krimesë.
Ajo tutje ka shtuar se “Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe për këtë, NATO është me ne”.
Osmani ka thënë se Serbia ka kryer akt agresioni më 24 shtator në Kosovë, përkatësisht në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku dhe tre të tjerë u plagosën, njëri prej tyre me armë zjarri.
Sipas saj, Serbia po tenton të kryejë edhe një tjetër akt, duke vendosur forcat e armatosura ushtarake pranë kufirit me Kosovën.
“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke pozicionuar forcat e armatosura dhe artilerinë ushtarake në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vjetet e fundit, e paprecedentë”, ka thënë ajo. /Njeshi/