Lista e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 9 shkurtit nuk ka njerëz të rinj. Arsye për këtë është mungesa e atraktivitetit. Kështu u shpreh opinionisti Rrahman Paçarizi në Rubikon të Klan Kosovës.
“Lista e Vetëvendosjes nuk ka njerëz të rinj, sepse nuk i atrakton njerëzit me mundësinë e zhvillimit dhe me hapësirën që u krijohet. Një person që ka dinjitet e integritet, dhe që është i zhvilluar intelektualisht, nuk i mjafton të hyjë të marrë një vend të deputetit. Sepse ata njerëz e kanë një vend pune shumë më të mirë”, tha ai.
Lista e kaluar, tha Paqarizi, ka qenë shumë heterogjene sa që, sipas tij, ka qenë e çuditshme si është kompozuar ashtu.
“Nuk mund të rrinë me një vend ateistët me islamistët… të gjithë ata njerëz kanë votuar si ushtri. Në 2-3 votime kanë qenë 2-3 abstenime, dhe ata më nuk kanë vend në parti dhe kanë dalë në parti tjetër”, u shpreh Rrahman Paçarizi.Ai tha se Kurti është i vetmuar, sepse kështu dëshiron të jetë vetë – “sepse veç atëherë është i madh”.
“Kurti dëshiron të jetë më i mençuri në një dhomë të caktuar, dhe kur e sheh se është më i mençuri aty, nuk e ndërron dhomën, por vazhdon të rrijë aty sepse është i kënaqur. Kurti nuk dëshiron të ketë njerëz që e thonë mendimin e vet ndryshe, dhe këtu i vetmi person që e thotë mendimin e vet ndryshe nga Kurti, herë pas here, është Glauk Konjufca, dhe asnjë tjetër. Edhe pse këtu ka njerëz që kanë mendim ndryshe prej zotit Kurti”, u shpreh opinionisti Paçarizi./Njeshi/