Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka dorëzuar sot padinë ndaj Kuvendit të Kosovës dhe kompanisë “Schalberger”, për pagesat e punëtoreve gjatë grevës që kanë mbajtur nga viti i kaluar për t`i shprehur pakënaqësitë për shkak pagave të ulëta.
Kryetari i kësaj sindikatë, Jusuf Azemi, ka theksuar se në bazë të vlerësimeve të inspektoratit dhe profesionistëve të kësaj natyre, kërkesat e tyre kanë qenë legjitime dhe presin një vendim sa më të shpejtë nga gjykata lidhur me rastin.
Azemi ka thënë se për nëntor, dhjetor dhe janar, duhet të paguajë kompania në fjalë rreth 1 mijë e 200 euro për secilën punëtore. Ai ka shprehur shqetësimin e punëtoreve lidhur me mospagesën.
Azemi ka theksuar se punëtoret duhet të paguhen për sa kohë qëndrojnë jashtë procesit të punës.
“Ne konsiderojmë se përgjatë gjithë kësaj kohe sa do të qëndrojnë jashtë procesit të punës, këto duhet të kenë një pagesë afër 400 euro, e tani mund të themi se vetëm në tre muajt e fundit janë tre pagesa, janë 1200 euro për secilin person”, ka deklaruar Azemi.
Sipas tij, nuk është problem i tyre nëse kompania ka probleme në Parlamentin e Kosovës. Derisa ka nënvizuar se kompania nuk ka pasur asnjë tendencë të ofrojë zgjidhje për të mos shkuar te padia.
Punëtoret protestuan për më shumë se nëntë javë, derisa Kuvendi ndryshoi kontratën me operatoren, duke iu mundësuar që punëtori të ketë pagën 400 euro. Por, kompania largoi nga puna ato, duke zëvendësuar me tjerë./Njeshi/