10 C
Pec
E mërkurë, 28 Shkurt, 2024

Pagesa po e ulë përdorimin e qeseve plastike në Kosovë

Trasta i është bërë njëfarë aksesori obligativ, shumicën e herëve kur del jashtë shtëpisë.

Nga 5 tetori e këndej, prishtinasja Hanife Hyseni nuk e harron atë kur e di se do t’i duhet të bëjë blerje për shtëpi.

Kjo pasi Qeveria e Kosovës, përmes një Udhëzimi Administrativ mori vendim që qeset plastike, të cilat jepeshin falas nëpër markete, të bëhen me pagesë, si masë për të parandaluar ndotjen e mjedisit që e shkaktonin ato, njofton Klan Kosova

Diçka e tillë po mirëpritet e përkrahet edhe nga blerësit nëpër dyqane.

“Prej banesës erdha me kese, është në rregull ama nëse dikush rastis të jetë jashtë dhe dëshiron të blejë diçka, atëherë duhet të paguaj. Unë ngado që shkojë nëpër markete tash prej që qeset janë bërë me pagesë e shfrytëzoj këtë”, ka thënë për Klan Kosova Hanife Hyseni, qytetare nga Prishtina.

Qytetarëve nuk po u duket e lartë pagesa 5 centë, 2 nga të cilët shkojnë në buxhet të shtetit, për një qese nga 25 deri në 50 mikronë.

“Shumë vendim i duhur, është dashur me marrë më herët, po vërehet ambienti është pastruar, shumica tani po i marrin qeset me vete ose ndonjë qantë”, u shpreh Sokol Hajdari, blerës nga kryeqyteti.

Qeset plastike nga 0-25 mikronë janë pa vega dhe pa pagesë, por ato shërbejnë vetëm për ambalazhim

Mentor Rexhepi, pronar dyqani në lagjen Ulpiana në Prishtinë, pohon se në dy muajt e fundit, është ulur kërkesa për qese.

“Prej se ka filluar zbatimi i pagesës së qeses është më mirë dhe tash janë vetëdijesuar edhe njerëzit dhe po vijnë me torba të veta. Po kërkojnë qese shumë më pak. Një lloj janë për pemë e një lloj për transport”, vlerësoi Rexhepi.

Dekreti për qeset me pagesë ka dhënë rezultate, ani se ende jo në mënyrë të vërejtshme në terren. Kjo të paktën sipas atyre që për çdo ditë merren me zbrazjen e kontejnerëve.

“Ndoshta edhe vendimi është i marrë së fundi nga Qeveria, por ka një dallim dhe nuk mund të them se nuk ka. Por edhe ato qese që po i hasim janë të reciklueshme”, deklaron Ramadan Meholli, punëtor në Kompaninë e Pastrimit ‘Uniteti’, dega në Vushtrri.

Praktika për largimin e qeseve një përdorimëshe nga tregu, e zëvendësimi i tyre me ato shumë përdorimëshe, po shihet si hap pozitiv në ekonominë qarkore.

Për këtë, bizneset prodhuese përshtatën edhe teknologjinë me nevojat, duke mos pasur nevojë të shkurtojnë vendet e punës.

“Kemi qenë të para përgatitur dhe e kemi rimodeluar biznesin tonë duke investuar në pajisje për thasë të mbeturinave me material të ricikluar dhe kemi në rritje të tregut në eksport. Është herët me thënë, deri tash nuk ka ndikuar në numrin e punëtorëve por ne nuk mendojmë që të zvogëlojmë numrin e punëtorëve”, konfirmoi për Klan Kosova, pronari i Fabrikës për Prodhimin e Qeseve ‘Scampa’ në Drenas, Kujtim Gjevori.

Një ndër arsyetimet e Qeverisë së Kosovës për vendimin rreth qeseve plastike, ishte pasi hedhja e këtyre të fundit në mbeturina e më pastaj nëpër rrjedha të ujërave, kontribuoi në rritjen e pasojave të vërshime të lumenjve nëpër zona të ndryshme të Kosovës./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...