29 C
Pec
E enjte, 20 Qershor, 2024

Pagesat vazhdojnë edhe me euro, edhe me dinarë

Posta e Serbisë dhe Kursimorja e Postës e Serbisë, të cilat operojnë në veri të Kosovës, i kanë ndërprerë transaksionet e pagesave në dinarë qysh në fillim të kësaj jave.

Këto institucione nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për konfirmimin e kësaj, por gazetarja e REL-it në terren vërtetoi se është e pamundur të bëhet ndonjë pagesë me dinarë.

Punëtorët e këtyre institucioneve thanë, po ashtu, se janë paralajmëruar se kjo situatë do të vazhdojë deri në një njoftim tjetër.

Banka Qendrore e Kosovës njoftoi më 13 maj se periudha tremujore transitore për zbatimin e lehtësuar të rregullores së saj, që e ndalon përdorimin e dinarit serb, ka marrë fund.

Kjo rregullore u fuqizua më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetme pagese me para të gatshme.

Rregullorja nxiti reagime të shumta nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, për faktin se komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia.

Disa takime mes Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje për të arritur ndonjë marrëveshje për çështjen, përfunduan këtë javë pa sukses.

“Vazhdojmë edhe me dinarë”

Në Kursimoren e Postës, qytetarët mund të tërheqin mjete në euro, të cilat janë të kufizuara në një shumë që varion, por që shpesh shkon deri në 400 euro.

Pagesa në dinarë, megjithatë, vazhdojnë të bëhen në objekte të shitjes me pakicë.

Bllagica, pronare e një dyqani në Mitrovicën e Veriut, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se pranon ende dinarë.

“Ne pranojmë edhe euro, edhe pse është pak problem kthimi i kusurit prej 10 apo 20 centësh, derisa të rregullohet pak…”, thotë Bllagica.

Ajo shton se do të vazhdojë të pranojë dinarë “derisa ata të ndalohen plotësisht”. Thotë se askush nuk i ka vizituar dhe nuk i ka kontrolluar për paratë që përdorin.

“Këtu te ne nuk ka pasur kontrolle sa u përket dinarëve. Ka pasur vetëm gazetarë për të pyetur… Mirëpo, mjet i pagesës këtu është ende dinari”, thotë Bllagica, duke konfirmuar se e di se periudha transitore ka përfunduar.

Edhe Natasha, punonjëse në një dyqan në Mitrovicën e Veriut, thotë se pranon dinarë, paralelisht me euron.

“Kemi vite që punojmë edhe me dinarë, edhe me euro. Por, ne vazhdojmë të pranojmë dinarë për aq kohë sa kemi mundësi”, thotë ajo.

Ngjashëm tregon se askush nuk i ka vizituar dhe nuk i ka kontrolluar për valutën që përdorin.

“Deri më tash jo, kam dëgjuar nga lokale të tjera që ka pasur [kontrolle]… Sigurisht që i presim çdo ditë”, thotë ajo, por nuk specifikon se për cilat lokale e ka fjalën.

“Nuk jam i sigurt se si është situata në terren [lidhur me përdorimin e dinarit], ndoshta varet nga rastet veç e veç. Por, në përgjithësi, është shumë e keqe, për të mos thënë katastrofale”, thotë Dushan Gashiq, afarist në Mitrovicën e Veriut, për Radion Evropa e Lirë.

Valuta e Serbisë, ngjashëm, vazhdon të qarkullojë edhe në mjediset me shumicë serbe në jug të Kosovës.

Kush duhet të bëjë kontrolle?

Pa specifikuar shumë, Banka Qendrore e Kosovës thotë për REL-in se “secili institucion publik ka mandatin, përgjegjësinë dhe detyrimet e përcaktuara me dispozitat e rregullores”.

Mejdi Bektashi, i cili më herët ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të BQK-së, thotë se barra bie mbi Doganën e Kosovës, Inspektoratin e Tregut dhe Administratën Tatimore.

“Pas dështimit të negociatave [mes Kosovës dhe Serbisë] në Bruksel, të vetmit që mund ta zbatojnë këtë vendim, janë: ATK-ja, Dogana dhe Inspektorati i Tregut”, sipas tij.

Ai thotë se zbatimi i rregullores, megjithatë, “nuk do të jetë i lehtë”. Dogana mund të arrijë ta ndalojë hyrjen e dinarëve në kufi, por do ta ketë shumë të vështirë ta ndalojë hyrjen e tyre në mënyrë ilegale, përmes rrugëve alternative, thotë eksperti i ekonomisë.

“…sepse është problem të kontrollohet një kufi aq i brishtë”, shton ai.

Dogana thotë se zbatimi në praktikë i rregullores së BQK-së nuk parqet ndonjë problem, por nuk jep detaje shumë.

“Do t’i zbatojmë politikat e përcaktuara nga institucionet e Kosovës, konform autorizimeve ligjore”, thuhet në një deklaratë të këtij institucioni, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Nga hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së, Dogana njoftoi disa herë se ka ndaluar hyrjen e dinarëve nga Serbia në Kosovë, me arsyetimin se nuk e ka miratimin e BQK-së.

Në ATK, ndërkaq, thonë se situata për ta mbetet e njëjtë, pavarësisht rregullores së BQK-së.

“Ky institucion, tatimet i pranon vetëm në valutën euro, nga të gjitha bizneset – siç ka ndodhur edhe deri më tash”, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezaj.

Nëse në komunat me shumicë serbe, inspektorët hasin në biznese të paregjistruara, ato detyrohen të regjistrohen dhe të paguajnë tatime – në të kundërtën gjobiten, ashtu sikurse edhe në komunat tjera, sqaron ai.

Inspektorati i Tregut nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë temë, por, sipas Bektashit, ky organ që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, duhet të bëjë kontrolle më të detajuara në dyqanet e mjediseve me shumicë serbe.

“Të kontrollohet nëse çmimet e produkteve janë të vendosura në valutën euro apo në dinarë, me çfarë valutash realizohen shitblerjet… Tregtarët serbë mund t’i vendosin çmimet në euro, por, në të zezën, pa problem mund të pranojnë dinarë si mjet pagese”, thotë Bektashi.

Me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, nëse inspektorët hasin në çmime të vendosura në dinarë, bizneset mund të gjobiten nga 1.000 deri në 20.000 euro, varësisht nga shkelja ligjore.

Pas takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, më 15 maj në Bruksel, Bashkimi Evropian – si ndërmjetësues i procesit – tha se palët nuk kanë gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi për dinarin.

Çështja i lëkundi raportet e Kosovës me disa aleatë perëndimorë, të cilët i kërkuan pezullimin e rregullores derisa qytetarët e prekur të përshtaten me praktikën e re. Autoritetet në Kosovë, megjithatë, nuk lëshuan pe./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...