Gjykata Themelore në Pejë ia ka ndërprerë masën e paraburgimit ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, pasi i njëjti ka paguar 50 mijë euro dorëzani.
Në vendimin të cilin e ka siguruar Telegrafi thuhet se nëse Nikoliq nuk i përgjigjet thirrjeve të gjykatës, mjetet e caktuara si dorëzani do të derdhen në fondin për kompensimin e viktimave të krimit, ndërsa të pandehurit do t’i caktohet menjëherë masa e paraburgimit.
Ndryshe, Bratislav Nikoliq ndodhej nën masën e paraburgimit që nga 21 dhjetori i vitit 2021, kur u arrestua si i dyshuar për rastin e njohur si “Brezovica”.
Për të njëjtin, Prokuroria dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës.
Për këtë rast janë bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione./Njeshi/