13.3 C
Pec
E shtunë, 12 Tetor, 2024

Paralajmërimi për bllokimin e kufijve nga ora 18:00, Elshani flet për situatën në pikat kufitare në veri

Një grup serbësh ka paralajmëruar se nga ora 18:00 do të fillojë bllokimi i pikave kufitare me Kosovën. Në pikat kufitare në veri, situata aktualisht është e qetë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë media se nuk ka ndonjë ndryshim të situatës atje.

“Nuk ka ndryshime. Krejt ok”, ka thënë shkurtimisht Eshani.

Duke folur më herët për këtë paralajmërim, Elshani tha se nuk dihet për numrin e protestuesve dhe se nuk është me rëndësi derisa ata nuk tentojnë të hyjnë në territorin e Kosovës.

“Nuk kemi informacion për numrin e protestuesve, për neve nuk është me rëndësi se sa persona janë, munden me qenë me mijëra por janë në pjesën e tyre, nëse tentojnë të hyjnë në anën tonë, ne jemi këtu. Nuk parashihet se do të ketë probleme në veri, e në bazë të bllokadës dhe do të veprojmë”, deklaroi Elshani.

Sipas tij, nuk ka nevojë për forca të shtuara të KFOR-it.

“Nuk ka nevojë për forca të shtuara të KFOR-it pasi asgjë nuk do të ndodh në veri, nëse tentojnë të vijnë në veri ne këtë punë kemi, të sigurohemi që nuk kallet pika kufitare, dhe i marrim masat e duhura. Gjithçka është në rregull, kurrë më mirë s’ka qenë”, deklaroi Elshani.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”, thuhet në apelin e MPJD’së.

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi sot se kërcënimet për bllokim të pikave kufitare, janë dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste por edhe veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë, të cilat Ministrja tha se shkojnë përtej kërcënimeve verbale.

“Kosova mbetet e përkushtuar për partneritetin e saj me NATO-n dhe për forcimin e pranisë së saj në vendin tonë si një garanci e për mbrojtjes e paqes në rajon. Ne shohim Serbinë si një rrezik për stabilitetin rajonal, kërcënimet për bllokimet sot të pikave kufitare janë vetëm dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste por edhe veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë të cilat shkojnë përtej kërcënimeve verbale. Sovraniteti i Kosovës nuk është i diskutueshëm, jemi të vendosur që së bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, përfshirë Turqinë të vazhdojmë të ruajmë dhe forcojmë paqen në Kosovë dhe më gjerë”, tha Gërvalla/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...