Pas pamjeve që tronditen mbarë opinionin publik, ku artistja shqiptare Parashqevi Simaku shfaqej në rrugë ku merrte ndihma, një tjetër video është bërë publike.
Këtë herë një turiste shqiptare në New York i është afruar asaj dhe ka zhvilluar një bisedë me këngëtaren. Artistja shqiptare flet në anglisht dhe në shqip me qytetaren, duke i thënë se ka kohë që nuk flet shqip, ndërsa e falenderon që ka ndaluar për ta përshëndetur.
“E kam më të lehtë të flas në anglisht. Me ty për herë të parë që kam folur shqip. E kam harruar, gjithë këto vite vetëm anglisht, studiova në anglisht. Dhe kur nuk komunikon vazhdimisht…Ne shqiptarët jemi ajo që ka mbetur nga Roma, Greqia, Perandoria Austriake… Disa prej nesh kanë ardhur që nga koha e Skënderbeut atje. E keni ruajtur atë traditën austro-hungareze. Ata qeshin, duken rrezatues, nuk e njohin vuajtjen dhe të keqen. Më shkruaj në Facebook. Më gjen aty. Do të shohësh fotot e mia, familjen time, gjithçka është aty,’-u shpreh këngëtarja.
Pavarësisht sfidave të jetës, ajo e ka ruajtur buzëqeshjen e saj të ngrohtë, që nuk e heq nga fytyra, duke përcjellë forcë dhe shpresë për të gjithë ata që e shohin.
Ylli i muzikës shqiptare në vitet 80-të u filmua disa ditë më parë nga një televizion amerikan, teksa mblidhte ndihma nga vullnetarë të ndryshëm.
Kujtojmë se Parashqevi Simaku, e cila emigroi në SHBA shumë vite më parë, është përballur me sfida të mëdha në jetën personale.
Ajo u martua me një shtetas amerikan, por pas ndarjes, humbi kujdestarinë e djalit të saj, çka ka ndikuar në gjendjen e saj psikologjike.
Për vite me radhë, kontaktet e saj me familjarët në Shqipëri janë ndërprerë, duke e bërë atë një figurë të distancuar për publikun dhe të dashurit e saj.
Parashqevia ka qenë pengu më i madh i nënës së saj, e cila ndërroi jetë një vit më parë, pa arritur ta shihte sërish vajzën e saj./Njeshi&RADIO 1/