30.2 C
Pec
E martë, 5 Korrik, 2022

Pas 4 intervenimeve me sukses, kthehet në Pejë, i lënduari që u hodh për të shpëtuar fëmijën në Lumbardhin e Pejës

Njëri prej tre protagonistëve të shpëtimit të fëmijës të rënë në Lumbardhin e Pejës, nga ngjarja e mbrëmjes së 9 Majit në Pejë, Shkëlqim Bakraqi, i cili gjatë tentimin për shpëtim kishte pësuar frakturë të trefishtë në këmbën e djathtë, ka kaluar me sukses operimet dhe 4 intervenime pasuese ndërsa pasdite vonë është kthyer në vendlindje.

Nga Spitali ‘Sistina’ e Shkupit ku ka qëndruar për 6 ditë, Shkëlqim Bakraqi është kthyer tek familja e tij në Pejë, ku kishte ardhur për vizitë të shkurtër nga SHBA-të.

Ka qenë Drejtoria e Shëndetësisë së Komunës së Pejës e cila ka angazhuar Urgjencën e qytetit për transportimin e Bakraqit nga Shkupi në Pejë me autoambulancë dhe ekip mjekësor përcjellës, si shenjë respekti për aktin human e heroik të qytetarit Bakraqi.

‘Nga çasti i parë që kemi marrë informacionin, atë natë, ne kemi qenë afër kërkesave që i kemi brenda mundësive tona, për ti dal në mbështetje qytetarit të fjalë. Një gjest vetmohues i një djaloshi human. Ai është trajtuar në Shkup dhe ne kemi bërë këtë veprim transporti si shenjë respekti e kujdesi në koordinim me familjarët dhe miqtë e Shkëlqimit. Shkëlqimit e edhe fëmijës dhe të gjithë të tjerëve që normalisht janë lënduar edhe me ndjenja ju urojmë çdo të mirë dhe shëndet të plotë.”-ka deklaruar për ‘RADIO 1’, me këtë rast, Dr. Petrit Loci-Drejtor i Shëndetësisë në komunën e Pejës.

Ndryshe Shkëlqim Bakraqi, është qytetar i komunës së Pejës me nënshtetësi amerikane i cili tash e 20 vite edhe jeton atje.

Ai kishte ardhur 4 ditë para ngjarjes për një vizitë të shkurtër në Pejë, ndërsa më 10 Maj do duhej të nisej me linjën e rezervuar për kthim në SHBA, mirëpo rrethanat e rastit të 9 majit ndryshuan çdo gjë. Me këtë shembull qytetar dhe shembuj të tillë të solidarizimit në vepër, shqiptarët shquhen kudo në botë.

Në momentin kritik të ngjarjes, Shkëlqim Bakraqi kishte qenë duke darkuar në Hotel ‘Dukagjini’.

‘RADIO 1’ dhe Portali ‘Njeshi’ gjejnë rastin për të përgëzuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë akt shpëtimi, qytetarin Visar Berisha nga Peja që bashkë me Shkëlqim Bakraqin dhe prindin e fëmijës ishin hedhur në dallgët e lumbardhit, ndërsa kishin intervenuar edhe brigada e Zjarrëfikësve, Policia lokale dhe Emergjenca e qytetit./RADIO 1/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...