12.9 C
Pec
E diel, 14 Prill, 2024

Pas 50 vitesh, rikthehet, Opera ‘Goca e Kaçanikut’ e Rauf Dhomit, flet prof. Syzana Jakupi

Profesoresha e njohur, e rregullt e Fakultetit të Arteve në Universitetin ‘Haxhi Zeka’ në Pejë, ka qenë e ftuar sot në ‘RADIO 1’.

Në emisionin ‘Një ditë Ndryshe’ përballë Linda Lipa – Gjakoves, prof. Jakupi, ka shpalosur arritjet dhe përgatitjet finale që po bëhen për premierën e Operës ‘Goca e Kaçanikut’ të  prof. Rauf Dhomit e cila do të shfaqet në Prishtinë më datë 23 shkurt 2024 dhe repriza e së njejtës më 25 shkurt.

Për ngjarjen, profesoresha Jakupi ka botuar dhe shkrimin si në vijim, të plotë të bituar në portalin ‘Njeshi’

Shkrimi i plotë:

Kohë e bukur me diell. Kisha dalur nga një provë koncertale me kolegen time
dhe pas provës në ASHAK shoh orën e cila përputhej tamam sa të kthej për provat e trupës e cila po punon për premierën e operës ‘Goca e Kaçanikut’ e kompozitorit Rauf Dhomi.

Lehtësisht dhe me hap të përshpejtuar arrij pak minuta para fillimit të provës. Sapo ngjisja
shkallëve dhe në platonë për të arritur tek salla e kuqe e pallatit të rinisë , takoj të rinjë e të reja, që sikur unë ishin duke ardhur e endur andej këtej qoftë të përgatiteshin për pjesët që do kishin të luanin në operë por edhe të tillë që kishin rastisur dhe ishin grumbulluar për kuriozitet, (këtë e kuptova nga bisedat që disa nga ata bënin, dhe ty të zë veshi padashje diçka nga ato derisa je në nxitim e sipër) Sa me nxitim të hapit poaq me nxitim bëj disa shkrepje fotosh të tyre sa për kujtim që kur të ndalem pas shumë kohësh të përjetoj po atë ndjenjë kënaqësie që më kaploi në ato momente. Disa prej tyre më përshëndesnin sepse sigurisht më kanë njohur nga më parë kur punoja në shkollën e muzikës në Prishtinë e disa të tjerë ashtu të mbledhur, vëreja se më shikonin sikur me një “ kritikë të vockël “ por në momentin që ju buzëqesh dhe përshendetem edhe pa u njohur fare sikur e merrja aprovimin e tyre për këtë veprim timin.

Në hollin tek salla e kuqe takoj të tjerë njerëz. Për ata nuk them se ishin të rastësishëm . Nga veprimet e tyre shoh se ishte pjesa që merrej me qështjet teknike. Disa mbanin kabllot, disa të tjerë refelektorët , çanta me vegla pune , por edhe të tjera që une nuk i kuptova, e thënë të drejtën dhe as nuk i dhashë fort rëndësi sepse kisha shkuar vetëm për provat e artistëve.

Sapo hap dyert e sallës me një kujdes maksimal që të mos pengoja me ndonje krisje të dyerve apo edhe të takave të mia, nga larg shoh Besiana Ahmedi me fytyrën e saj engjëllore që më përshëndet me dorën lart sikur do te me thoshte , hej jam këtu , dhe morri me vrap drejtimin për tek unë sa për tu takuar me shtrëngim duarsh sepse edhe ajo shfrytëzoi kohën sepse provat nuk kishin arrijtur ende deri tek roli i saj “PLAKA“ , dhe ne kishim kohë pa u parë. Aty njëkohësisht takoj vajzën e embël Elikona Hysaj e cila ishte pjesë e trupës dhe kishte rolin e dirigjentes së korit dhe e di se puna dhe energjia e saj pozitive janë të pashoqe . Më tutje pianisti ( koorepetitor) Melos Buza kishte futur kokën në partiturat dhe po verifikonte gjërat që duheshin patur kujdes.

Dirigjenti, maestro Edon Ramadani poashtu i cili megjithëse vëmendjen e kishte tek realizimi i partiturës , në shenjë respekti më afrohet për një takim të shkurtër. Si kolegë që ishim nga koha kur punonim tek i njejti institucion dhe poashtu kishim kujtime të bukura nga puna e përbashkët e koncertit të diplomës me orkestër i një ish- nxenëses sime.

Në pjesën pak më lart me etazhitet qëndronte i madhi regjsori Nikolin Gurakuqi të cilin nuk e kam takuar më herët e në shenjë respekti për punën e tij nuk u afrova edhepse e dëshiroja këtë, thjesht nuk doja ta pengoja punën e askujt aty e aq më pak të regjisorit për të cilin kam përshtypjen se regjistronte çdo lëvizje të çdo personi që gjendej aty qoftë si pjesë e trupës qoftë si person nga jashtë siç isha edhe unë në këtë rast . Njeri me tipare të një profesionisti të vërtetë, ekspeditiv, i lehtë në komunikim me akterët e trupës dhe shumë i qartë në kërkesat e tij prej regjisori. Ah dhe ja, po më në fund …takohem edhe me primadonën , Adelina Paloja që si për shaka por gjithsesi me kënaqësi këtë kohë sa po përgatitet opera nuk e thërrasim ndryshe të gjithë ne që e njohim pos “ Pafikë “ ose “Gocë e Kaçanikut “ sipas rolit që ka në operë, të cilët emra ajo i ka pranuar me kënaqësi dhe dy emrat i bart me krenari.

Padyshim aty është edhe Meriton Ferizi si drejtor i filharmonisë së Kosovës dhe të gjithë anëtarët e tjerë që kanë rol , e poashtu edhe personazhi i “Trimorit” (Ismet Vejseli ), cili poashtu ishte mishëruar me rolin e tij dhe dinte rëndësinë dhe peshën e vetë rolit.

Me pak fjalë në ato pak momente gjatë ecurisë së provës u la për tu kuptuar se e gjithë trupa tani më ishte mishëruar me rolet dhe raportet e tyre mes njëri tjetrit për më tepër aty çdonjëri ndjehej krenar për faktin se ky realizim është momenti historik në shtetin e ri të Kosovës dhe ky fakt e bën atë me shtyllën pothuajse më të rëndësishme të shtetit duke kujtuar se opera në fjalë i përkon operës nacionale të cilën shume shtete as që e kanë .
Për ata që nuk e njohin operën si formë “ Opera është pjesë e traditës së muzikës dhe si formë është paraqitur nga fund i shek. XVI në Itali (vepra e humbur e Jacopo Perie ‘s “ Dafne”, Firence më 1598), për tu përhapur shumë shpejtë në pjesën tjetër të Evropës: Schütz në Gjermani, Lully në Francë, dhe Purcell në Angli.

Figura me e njohur e fundit të shekullit të 18 në opera është Mozart, i cili filloi me opera seria por është më e njohur , opera komike italiane, si Dasma e Figaros (Le Nozze Di Figaro) , Don Gjovani, dhe Così fan tutte, si dhe Flauta Magjike (Die Zauberflöte), si një pikë referimi në traditën Gjermane.

“Shek. XIX i romantizmit muzikor solli shumë emra të shquar kompozitorësh sidomos ata që lëvruan Operën ku do të veçonim Xhuzepe Verdin (1813-1901), kompozitor italian që pati një veprimtari të gjerë e të pasur. Veprat operistike të Verdit janë ndër më populloret e kohës, mbasi ato muzikalisht flasin me gjuhën e popullit. Verdi në opera përdori korin si vetëveprues, duke i dhënë një rol dominant në vepër. Ne krijimtarine e tij operistike dhe vokale, Verdi i bëri elementë shprehës këngët popullore, të cilat i dhanë vulën kombëtare veprës së tij. Si shembull mund të përmendim: “Korin e skllevërve” nga opera “Nabuko” ose koralet nga opera “Lombardët” , “Trovatore”, “Aida”etj… Shumë nga koralet e operave të Verdit u bënë hymne që inspiruan lëvizjet popullore të kohës për liri, pavarësi e përparim shoqëror” . ( Shkëputur nga punimi doktoral Suzana Turku).

Në këndvështrimin historik kombëtar shqiptar shënojmë dy emra kompozitorësh për realizimin e operës nacionale ai i kompozitorit Prenk Jakova (1917—1969) i cili realizoi operën e parë të quajtur MRIKA , me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi e cila për herë të parë u shfaq në teatrin “ Migjeni “ të qytetit të Shkodrës më 1.12.1958 megjithëse thuhet se puna për këtë operë kishte filluar më herët , aty nga viti 1956. Është operë në katër akte dhe e vënë në skenë nga regjisori Andrea Skanjeti , mbi bazën e veprës “Dritë mbi Shqipëri”.

Kompozitori i kishte menduar mirë personazhet dhe karakteret e poashtu atë e pasuroi edhe me këngë, valle, pjesë korale, arie etj. duke e bërë atë një operë kombëtare.
Afërsisht 14 vite më vonë, në Kosovë kompozitori Rauf Dhomi kompozon operën e parë shqipe në Kosovë “ Goca e Kaçanikut “1970-72 , në dy akte dhe tri tablo me libret të Ajmone Dhomit dhe Jusuf Buxhovit, bazuar në novelën e Sotir Gurrës , e që njihet si opera e parë shqipe në Kosovë, e më pas edhe operan “Dasma Arbëreshe” 1982-83 në tri akte.
Duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e pasjes së operës si formë përfaqësimi të identitetit kombëtar e shtetëror , këtë fakt nuk e lë anash dhe të pavërejtur .
Në qendër të subjektit është lufta e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë që gjatë kohës së rilindjes kombëtare ishte në rënie e sipër dhe në prag të shpalljes së pavarësisë.. Ngjarjet janë vendosur në zonën e Kaçanikut ku rezistenca e popullit shqiptar kundër xhonturqve ishte e madhe duke qenë të vetëdijshëm për përpjekjet e mashtrimeve me anë fermanësh kinse do t’ ju siguronin atyre lirinë e pavarësinë por përpjekjet e tyre do të mbeteshin të kota pasi populli ishte i bindur se liria e tyre do të vinte vetëm përmes grykës së pushkës.

Kjo ështe Opera e parë që ndërroi historinë e shtetit dhe Rauf Dhomi ishte pikërisht ai ideologu dhe themeluesi i saj i parë i cili kompletoi edhe shtyllën e fundit shtetërore që deri atëherë i mungonte Kosovës.

Duke ditur rrethanat historike të Kosovës në ato vite, lehtë mund të konkludohet arsyeja e
mosvënies në skenë apo e realizimit të saj më herët prandaj fillimisht kjo operë u realizua si formë koncertale në qershor të vitit 1978 me rastin e 100 vjetorit të lidhjes së Prizrenit , me dirigjent Mark Kaçinari.

Mysafir të pranishëm ishin edhe historianët nga Shqipëria Arben Puto dhe Zija Gjoli të cilët me insistimin e tyre u bë transferimi i partiturës së operës në Shqipëri me qëllim vënien në skenë të saj në TKOB.

Ky projekt edhe u realizua në qershor të vitit 1979 duke mbetur në repertoarin e tyre deri në vitin 2002.

Opera në Shqipëri u dirigjua nga Rifat Teqja “ Artist i Popullit” në regji të Kadri Metohu , mjeshtre kori Rozmari Jorganxhi “Artiste e merituar” e piktor Hysen Devollin “Piktor i merituar”.

Pas betejës së fundit 1999/2000 nga e cila Kosova doli e pavarur dhe shtet, rrethanat kanë ndryshuar për të mirë megjithëse me sfida por që vullneti i komunitetit artistik dhe i institucioneve shtetërore nuk munguan .

Më dt. 01.03. 2003, R. Dhomi themeloi trupën e Operës së Kosovës , dhe më 1.01.2004 themeloi Konservatorin Artistik pranë këtij institucioni.Opera e Kosovës është themeluar nga Kuvendi i Kosovës më 2 gusht 2021, sipas ligjit të miratuar me 2006 Fjala e kryeministrit Albin Kurti drejtuar Kuvendit të Kosovës me rastin e themelimit të
institucionit të operës (citate).

“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

E nderuara nënkryetare,

Qysh nga vitet ´50 të shekullit të kaluar, në Kosovë janë performuar ngjarje të natyrës operistike, janë shfaqur opera e janë luajtur pjesë orkestrale e simfonike, të autorëve vendorë e të huaj. Kjo veprimtari ka ardhur duke u rritur, me zhvillimin dhe përhapjen e arsimit muzikor në Kosovë, e sot kemi këngëtarë e instrumentistë nga Kosova të cilët shfaqen në skenat më të rëndësishme operistike e filarmonike botërore. Me këta muzikantë ne krenohemi sa herë që fitojnë çmime, por fatkeqësisht në Kosovë deri më sot nuk e kemi patur një vend të përshtatshëm e dinjitoz për t´i dëgjuar ata.

Tash, më në fund ka ardhur koha që ne në Kosovë ta themelojmë Operën e Kosovës, si një
Institucion Publik i cili gjatë vitit të ardhshëm, pra 2022, do të hapë dyert e do të jetë funksional, në shërbim të vetë komunitetit të muzikantëve, instrumentistëve e këngëtarëve solistë e koralë, por edhe për kënaqësinë e artdashësve të Filarmonisë, Operas dhe Baletit.
Duke themeluar Operën e Kosovës, ne çojmë përpara programin tonë qeverisës, duke përkrahur artin, artistët dhe artdashësit, e duke zhvilluar infrastrukturën e nevojshme e cila po kërkohet me ngulm tash e sa vjet dhe është premtuar shumë herë nga qeveritë e mëparshme, por që megjithatë nuk kanë arritur ta realizojnë premtimin.

Nëse formimi e edukimi estetik i lihet tregut, atëherë dita ditës do të përballemi me një degjenerim të shijeve e të formave. Kuptohet, ne nuk mund të ndërhyjmë aty duke ndaluar apo censuruar forma të caktuara, por mbi të gjitha duke krijuar mundësinë që të përjetohen edhe arte të tilla, siç është Opera.

Pra, të nderuar deputetë, me kënaqësinë më të madhe, duke qenë edhe vetë një artdashës, e përgëzoj komunitetin e artistëve, sepse tash e tutje, në Kosovë e kemi themeluar institucionin e Operas, dhe po e funksionalizojmë atë.

Përmes artit Kosova i ka çelur dyert e botës, e tash ka ardhur koha t´i çelim ato dyer edhe këtu, në vendin tonë. Faleminderit “! Koncerti inaugurues më 01.11.2021 ishte organizim i Operës së Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, në patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës me program nga uvertyrat operistike botërore e krahas tyre edhe me uvertyrat operistike shqiptare „Goca e Kaçanikut“, „ Dasma arbëreshe“ të Rauf Dhomit dhe “Mrika“ e Prenk Jakovës.

Më.dt 23 dhe 25 për nder të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi do të shënojë premierën botërore në Kosovë., prandaj shumë nga komuniteti artistik e poashtu edhe nga vetë regjisori Nikolin Gurakuqi këtë fakt e konsideron si rikthim historik pas 53 vitesh dhe tepër emocionues , ndërsa tenori Hektor Leka ( PLAKU) sipas rolit në operë shprehet “Është hera e parë që në Kosovë vihet në skenë një opera e një kompozitori kosovar me një trup e gjitha shqiptare. Mua më emocionon sepse është hera e parë që shqiptarët flasin në shqip.

Gjendemi jashtë mase mirë dhe është një entuziazëm që preket me dorë.

Me këtë rast mund të them se hapur se muaji shkurt në Kosovë e besoj edhe në Shqipëri dhe trevat ku flitet shqip , është nën petkun e festës së 16 vjetorit të pavarësisë por edhe të festës së momentit të rikthimit historik të operës shqiptare në Kosovë.

Autorja e këtij shkrimi është  Syzana Jakupi , prof e rregullt në fakultetin e arteve të Universitetit Haxhi Zeka – Pejë./Njeshi&RADIO 1/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...