Gjatë qëndrimit në Tallinn të Estonisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një takim me kryeshefin ekzekutiv të Partneritetit për Qeveri të Hapur (OGP), Sanjay Pradhan,m me të cilin diskutuan rreth anëtarësimit e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, pas shumë viteve përpjekjesh. Po ashtu në takim u diskutua edhe për përfitimet, përgjegjësitë dhe rolin e Kosovës si anëtare e re.
Kryeministri Kurti e informoi kryeshefin Pradhan me punën e Komitetit Kombëtar Koordinues për sa i përket hartimit të Planit Kombëtar të Veprimit 2023-25, i cili bazohet në katër shtylla kryesore: Qeverisja Digjitale; Të Dhënat e Hapura (Open Data); Përfshirja e Qytetarëve; dhe Anti-Korrupsioni.
Duke qenë ky viti i parë i anëtarësimit të Kosovës në OGP, kryeministri nënvizoi rëndësinë dhe nevojën për mbështetje nga kjo organizatë në fillimin e zbatimit të Planit Kombëtar, teksa shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e deritanishëm, thuhet në njoftimin e ekzekutivit kosovar.
Përkrah kryeministrit Kurti në këtë takim ishin edhe ambasadorja e Kosovës për Estoni, Shkëndije Geci Sherifi dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi./Njeshi/