14.6 C
Pec
E premte, 13 Shtator, 2024

“Pasuria” e Kadaresë kthehet në Shqipëri. Dorëshkrime të pabotuara, ide dhe drafte i dorëzohen Arkivës

Dhjetëra dorëshkrime dhe shtypshkrime të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, do të ruhen tanimë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Vepra e gjeniut të letrave shqipe do t’i nënshtrohet restaurimit në Drejtorinë e Arkivave, që do të realizojë fillimisht rimëkëmbjen e materialeve, për të kaluar më pas në procesin e digjitalizimit të tyre.

Ka qenë vajza e Ismail Kadaresë që ka dorëzuar të gjithë dorëshkrimet e tij në arkivë, duke përmbushur amanetin e të atit: “Ismailit në Paris, para disa viteve, i janë afruar plot institucione të huaja, shumë ishin franceze. Universiteti i Sorbonne-s, Akademia e Francës, Biblioteka ‘Françoi Miterrand’, që donin të merrnin plotësisht ose një pjesë të arkivave. Erdhi dhe një propozim shumë interesant nga Universiteti i Princeton-it në New York. E shikoja që Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje, diçka e pengonte dhe nuk ka dhënë përgjigje të qartë. Dhe unë i thashë: ‘Po si e ke menduar? Çfarë do të bëhet me arkivën tënde? Pse nuk shprehesh?’. Nuk di tha ç’duhet të bëj sepse unë dua që arkivi të kthehet në Shqipëri. Por, nuk di cilit institucion t’ia besoj. Ai nuk dha përgjigje të prerë. Por, në mënyrë subliminale, vendosa me iniciativën time t’ia plotësoj këtë amanet, duke ju bërë juve besim total. Edhe një herë, është shumë e vështirë t’i besohen qoftë një institucioni serioz gjëra kaq të vyera”.

Drejtori i Arkivave, Ardit Bido pohoi se vepra e Kadaresë do të ruhet me shumë kujdes dhe do të dixhitalizohen për të qenë pasuri e të gjithë kombit: “Në këto vite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka pasur dhurime të personaliteteve të mëdha të historisë sonë që nga Lasgush Poradeci, Rauf Fico dhe kështu me radhë. Dokumente, të cilat përndryshe do ishin të strukura në sëndukë që ruhen me më shumë dashuri sesa këtu, por që ruhen me më pak profesionalizëm sesa këtu. Dokumente, të cilat ruhen me nostalgji, por që mbesin deri diku të panjohura për publikun dhe për studiuesin. Një falenderim i veçantë për Znj. Gresa Kadare, e cila ishte nismëtare për dorëzimin për ruajtje, restaurim dhe digjitalizim të këtyre dokumenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave”.

Bido u bëri thirrje pasardhësve të personaliteteve më të mëdha shqiptare, të dorëzojnë ose të dhurojnë pranë Arkivit dëshmitë e angazhimit publik të të parëve, për të bërë të mundur evidentimin e kontributit dhe përjetësimin e veprës së tyre. Mes materialeve të dorëzuara, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”.

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...