PDK dhe LDK, kanë hedhur dyshime se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të negocioj sa i përket zbatimit të planit franko-gjerman. Sipas kryesisë së këtyre dy partive, Kurti është pajtuar me çdo gjë në atë plan dhe mbetet vetëm çështje ditësh nënshkrimi i marrëveshjes, bashkë me aneksin e zbatimit. Ndërsa, nga AAK-ja kanë thënë se vazhdojnë ta përkrahin planin evropian, por kanë kritikuar mënyrën se si Kurti po e zhvillon dialogun.
Pas vizitës së emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Laiçak, dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë hedhur dyshimet e tyre ndaj kreut të ekzekutivit kosovar, se mund të negocioj në planin BE-së për dialogun.
Nga PDK-ja vlerësohet se kryeministrit Kurti i ka mbetur të shkojë vetëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.
E më kritikues karshi kreut të ekzekutivit është paraardhësi i tij, Avdullah Hoti.
Deputeti i LDK-së, thotë se Kurti e ka degraduar dialogun dhe sipas tij të vetmin negocim që do ta bëjë është ai i modalitetit për statusin e Kishës Ortodokse dhe i vetë menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.
Kritika për mënyrën e zhvillimit të dialogut ka edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ndryshe nga partitë e tjera opozitare, Haradinaj thotë se e përkrah Planin Franko-Gjerman./Njeshi/