27.9 C
Pec
E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Peci: Bujqësia ndër shtyllat kryesore të ekonomisë, mund të adaptojmë lehtësisht praktikat inovative në këtë sektor

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se në Kosovë, sektori i bujqësisë është ndër shtyllat kryesore të ekonomisë. Peci ka thënë se ndonëse vend i vogël për nga territori, Kosova ka një potencial të madh për bashkëpunim, raporton Ekonomia Online.

Ministri Peci i bëri këto deklarata në hapjen e Forumit të parë të Biznesit Kosovë – Portugali, ku theksoi se në bujqësi suksesi fillon me dy elementë të rëndësishëm, kushtet të favorshëm klimatike dhe toka të shëndetshme, ku sipas tij, Kosova i ka të dyja, me një territor ku rreth 40 për qind është e mbuluar me tokë bujqësore të cilësisë së lartë dhe gjysma tjetër me pyje.

Ai ka theksuar se forumi i biznesit me Portugalinë është një mundësi e mahnitshme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në aspektin e fuqizimit ekonomik.

“Takimet ndërmjet përfaqësuesve të dy vendeve mike, si Portugalia dhe Kosova, janë gjithmonë një mundësi e mirë për të ruajtur marrëdhëniet politike. Kjo është një mundësi e mahnitshme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në aspektin e fuqizimit ekonomik. Vendi im mund të jetë i vogël për nga territori, por ju siguroj se zemrat tona janë të mëdha dhe ne kemi potencial të madh për bashkëpunim”, u shpreh Peci.

“Në Kosovë ekziston një traditë mbi 2000 vjeçare të vreshtave dhe kultivimit dhe konsumimit të verës, si pjesë përbërëse e traditës sonë. Vlen të theksohet se në Kosovë, sektori i bujqësisë është ndër shtyllat kryesore të ekonomisë, duke kontribuar 80-10 për qind në GDP një shifër që mund të arrijë deri në 15% nëse merret parasysh edhe sektori i industrisë ushqimore. Dhe në bujqësi suksesi fillon me dy elementë të rëndësishëm, kushtet të favorshëm klimatike dhe toka të shëndetshme. Kosova është e bekuar me të dyja, me një territor ku rreth 40% është e mbuluar me tokë bujqësore të cilësisë së lartë dhe gjysma tjetër me pyje, si një peizazh që të lë pa frymë. Mundësitë për zhvillim janë të pabesueshme. Ashtu si Portugalia, Kosova është e vendosur në mënyrë strategjike, gjë që na lejon të lehtësojmë tregtinë dinamike nëpër Evropë dhe më gjerë. Në fakt, importet tona të produkteve bujqësore nga Portugalia janë rritur për 943% gati dhjetëfish në dy vitet e fundit, duke demonstruar një partneritet të fortë dhe në zgjerim”, ka thënë ai.

Peci ka thënë se Kosova ka rritur eksportin për 94 për qind në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit për tre vitet e fundit.

Ai është shprehur se kanë vërejtur një rritje prej 27 për qind të pjesëmarrjes së njerëzve në bujqësi dhe se kjo tregon një potencial për rritje ekonomike.

Ai ka shtuar se gjatë tri viteve si ministër puna e tyre me donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë është rritur me 184 për qind, duke shtuar 30 milionë euro.

“Përderisa ne vazhdojmë të përfitojmë nga importet portugeze, është thelbësore të theksohet fakti se Kosova ka rritur eksportin për 94% në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit për tre vitet e fundit. Me popullsinë më të re në Evropë, Kosova mund të adoptojë lehtësisht teknologjitë e reja dhe praktikat inovative në bujqësi, si faktorë kyç për ndalimin e migrimeve nga zonat rurale”.

“Si Ministri kemi filluar zhvillimin e një plani strategjik për dixhitalizimin e sektorit të bujqësisë në bashkëpunim me UNDP, FAO dhe UNICEF, duke marrë hapa të rëndësishëm për përdorimin e teknologjive të avancuara dhe praktikave të zgjuara bujqësore. Në fakt, ne kemi parë një rritje prej 27% të pjesëmarrjes së njerëzve në bujqësi dhe kjo tregon një potencial për rritje ekonomike. Kosova ka 44% mbulim pyjor. Pjesë e këtyre burimeve të arta tregon qartë potencialin tonë për bashkëpunim për turizmin malor. Që kur jam bërë ministër, puna jonë me donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë është rritur me 184%, duke shtuar 30 milionë euro. Kjo rritje tregon përkushtimin tonë të fortë për transparencë dhe angazhim në përmirësimin e sektorit”, ka thënë ai./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...