18.2 C
Pec
E enjte, 23 Maj, 2024

Peja nesër me ‘MARSH PAQËSOR PROTESTUES’, mësyen dyert e Gjykatës, Policisë dhe Prokurorisë

Syri i Vizionit dhe organizatat tjera të shoqërisë civile në Pejë pas ngjarjes së rëndë tragjike të sotme, ku u vra Gjylejta Ukella, nga bashkëshorti i saj, kanë ftuar MARSH PAQËSOR PROTESTUES, me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”.

‘Duke filluar nga ora 11:00 do të organizohet marshi paqësor me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”. Marshi fillon nga qendra e qytetit për të vazhduar tek objektet e Policisë, Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore në Pejë. Edhe një herë, bëjmë thirrje që urgjentisht të ndalohet me mohimin e femicidit dhe dhunës në baza gjinore. Mosndëshkimi i këtyre rasteve është inkurajim i mëtejshëm!’-thuhet mes tjerash në njoftim.

Komunikata e plotë:

Shoqëria civile e rajonit të Pejës dënon rastin e fundit të femicidit, organizon marsh paqësor të mërkurën

Pejë – Syri i Vizionit dhe organizatat tjera të shoqërisë civile në Pejë janë thellësisht të trishtuara dhe të indinjuara nga rritja e fundit e rasteve të vrasjeve të qëllimshme të grave – femicidi. Vrasjet e pakuptimta dhe brutale të grave dhe vajzave vazhdojnë të rëndohen përditë, duke nënvizuar nevojën urgjente për veprim për të adresuar këtë çështje serioze.

Rasti i fundit tragjik i kësaj natyre i ndodhur sot në qytetin e Pejës iu shtua shifrave alarmante të viteve të fundit në vendin tonë.

Vrasja e qëllimshme e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre, është një krim i urryer që jo vetëm ua grabit jetën individëve, por gjithashtu u shkakton trauma të qëndrueshme familjeve dhe komuniteteve. Çdo femicid është një kujtesë e ashpër e dhunës dhe pabarazisë sistematike me bazë gjinore që vazhdon në shoqërinë tonë.

Pavarësisht përpjekjeve për ndërgjegjësimin dhe zbatimin e masave për parandalimin e dhunës ndaj grave, rritja alarmante e rasteve të femicideve kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar nga të gjithë sektorët e shoqërisë. Ne duhet të përballemi me shkaqet rrënjësore të dhunës me bazë gjinore, të sfidojmë normat e dëmshme gjinore dhe të sigurojmë që autorët të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.

Syri i Vizionit dhe organizatat tjera të shoqërisë civile në komunën e Pejës i bën thirrje qeverisë, agjencive të zbatimit të ligjit dhe komuniteteve që të bashkohen në një përpjekje kolektive për t’i dhënë fund femicidit. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që t’i japin përparësi sigurisë dhe mbrojtjes së grave dhe vajzave, të forcojnë ligjet dhe politikat që synojnë parandalimin e dhunës dhe të ofrojnë shërbime mbështetëse për të mbijetuarit. Është e domosdoshme që të punojmë së bashku për të krijuar një shoqëri ku gratë dhe vajzat mund të jetojnë pa frikë nga dhuna dhe diskriminimi. Le të solidarizohemi me viktimat e femicidit, të forcojmë zërin e tyre dhe të përpiqemi për drejtësi dhe barazi për të gjithë.

Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjarët dhe të dashurit e viktimës së fundit në qytetin tonë, Gjyljeta Ukella. Do të vazhdojmë të avokojmë pa u lodhur derisa çdo grua dhe vajzë të mund të jetojnë në një botë ku të drejtat e tyre respektohen dhe jeta e tyre vlerësohet.

Për të u solidarizuar me Gjyljetën dhe të gjitha viktimat e femicidit, sonte në ora 19:30, në qendër të qytetit do të bëhet ndezja e qirinjve.

Ndërsa, nesër, e mërkurë, duke filluar nga ora 11:00 do të organizohet marshi paqësor me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”. Marshi fillon nga qendra e qytetit për të vazhduar tek objektet e Policisë, Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore në Pejë.

Edhe një herë, bëjmë thirrje që urgjentisht të ndalohet me mohimin e femicidit dhe dhunës në baza gjinore. Mosndëshkimi i këtyre rasteve është inkurajim i mëtejshëm!

Lista e organizatave të cilat e mbështesin këtë deklaratë:

– Syri i Vizionit

– Qendra për Mirëqenien e Gruas

– Duart Plot Meshirë

– Qendra për Jetë të Pavarur

– Shoqata e Diabetit

– Shoqata Alma

– Handikosi

– Shoqata Jarina

– YMCA Movement

– CDF

– Mladi Volunteri

– Këshilli i Veprimit Rinor-KVRL./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...