Nga data 13 e deri më 15 qershor, ‘Peja Outdoor Festival’ rikthehet me edicionin e dytë.
Nga data 13 deri më 15 qershor 2025, qyteti i Pejës do të jetë nikoqir i edicionit të dytë të Peja Outdoor Festival, një ngjarje që synon të promovojë sportet në natyrë, turizmin malor, kulturën dhe muzikën.
I ftuar në emisionin e mëngjesit në ‘RADIO 1’, tek Venera Berisha-Morina, Drejtori i këtij festivali, Raif Gjikolli, tha se ky do të jetë një aktivitet i shumëpritur që do të sjellë energji pozitive dhe larmi aktivitetesh për të gjitha grupmoshat.
“Do të jetë një ngjarje shumë e mirë për qytetin dhe për të gjithë pjesëmarrësit. Kemi mbështetjen e Komunës së Pejës, por edhe të shumë bizneseve lokale që kanë kontribuar në realizimin e festivalit.”-u shprehë Gjikolli.
Programi do të përfshijë aktivitete të ndryshme për të rritur dhe për fëmijë, si ecje malore, çiklizëm, joga në natyrë, lojëra për fëmijë, panaire artizanale dhe ushqimore si dhe panele diskutimi dhe prezantime kulturore.
Një nga momentet më të veçanta do të jetë mbrëmja muzikore e datës 13 qershor, ku në sheshin e qytetit do të performojë Alban Skënderaj, në një koncert që pritet të mbledhë një numër të madh vizitorësh.
‘Pjesëmarrja është falas, mirëpo të interesuarit duhet të regjistrohen paraprakisht, pasi vendet për disa aktivitete janë të kufizuara.’-konfirmoi Gjikolli në ‘RADIO 1’.
Festivali pritet të mirëpresë edhe pjesëmarrës nga vendet e rajonit, duke e bërë Pejën një pikë takimi ndërkombëtare për adhuruesit e natyrës dhe aventurës./Njeshi&RADIO 1/