Gjykata Speciale ka bërë të ditur se në çështjen gjyqësore Januzi dhe të tjerët, sot u bënë publike dy marrëveshje më vete për pranimin e fajësisë, ku Sabit Januzi dhe Haxhi Shala, secili më vete, pranuan fajësinë për një akuzë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale.
Në njoftim thuhet se secila nga marrëveshjet për pranimin e fajësisë bazohet në “faktet e pranuara”, me çka të akuzuarit pranojnë se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta.
“Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon që Prokurori i Specializuar dhe Mbrojtja të arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila duhet të miratohet nga Trupi Gjykues para se të hyjë në fuqi. Trupi Gjykues është duke shqyrtuar aktualisht marrëveshjet për pranimin e fajësisë në këtë çështje gjyqësore”, thuhet në njoftim.
Sipas rregullës 94 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave së DHSK-së, Trupi Gjykues miraton marrëveshjen vetëm nëse gjykatësit binden se janë përmbushur disa kushte: se ekziston bazë faktike e mjaftueshme që vërteton faktet thelbësore të nevojshme për vërtetimin e veprës penale dhe pjesëmarrjen e të akuzuarit se avokati ka diskutuar marrëveshjen me të akuzuarin dhe se i akuzuari i kupton kushtet e marrëveshjes; se i akuzuari pranon fakte në lidhje me akuzat në marrëveshje dhe se pranimi është bërë pa kërcënime ose detyrim; se i akuzuari kupton pasojat e marrëveshjes dhe heq dorë nga e drejta për t’u gjykuar me procedurë gjyqësore të zakonshme se janë marrë parasysh si duhet interesat e drejtësisë.
Trupi Gjykues ka caktuar seancën për marrëveshjet për pranimin e fajësisë për 18 dhjetor, në orën 09:00 dhe ka rezervuar edhe 19 dhjetorin nëse do të jetë e nevojshme. /Njeshi/