Ministrja shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar se ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projektidea për hekurudhën kombëtare Durrës-Prishtinë.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Balluku e quajti këtë hekurudhë “Kuq e Zi”, duke shtuar se edhe i hap rrugë realizimit të veprës infrastrukturore për kombin dhe rajonin.
Ajo ka bërë me dije se raporti për këtë çështje është prezantuar para ekipeve të dy vendeve.
“Mirëmëngjesi me lajmin e mirë se tashmë ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projektidea për hekurudhën kombëtare Durrës-Prishtinë. Raporti, i cili u prezantua nga Konsulenti në prani të skuadrave nga Kosova dhe Shqipëria, tashmë i hap rrugë realizimit të veprës infrastrukturore më të rëndësishme për kombin dhe ekonominë e rajonit në tërësi. Hekurudha Kuq e Zi!”, shkroi ajo. /Njeshi/