Përleshja në një lokal në kryeqytet e cila la të vdekur një person e 19 të lënduar, ka ngritur alarmin se siguria publike në Kosovë është në trend të përkeqësimit.
Gastronomia thuhet se është shndërruar në fushëbetejë për persona me të kaluar kriminale të cilët jo rrallëherë qërojnë hesapet në këto vende të cilat janë të mbushura me njerëz.
E ata që po e pësojnë janë qytetarët të cilët një ditë të zakonshme zgjedhin ta kalojnë në vende të tilla.
Ekspertë të sigurisë thonë se nëse institucionet nuk reagojnë në kohë, situata e sigurisë do të përkeqësohet edhe më shumë.
Për shkak të përleshjes të së premtes e cila përfundoi tragjikisht, tre persona po vazhdojnë edhe më tej të marrin trajtim mjekësor në Klinikën e Ortopedisë.
Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar themelimin e një taskforce për hetimin e të gjitha rasteve të ngjashme. Ndërkohë, që nga partia opozitare AAK është kërkuar nisja urgjente e zbatimit të Ligjit për kryeqytetin dhe krijimin e Policisë së kryeqytetit. /Njeshi/