Një përleshje mes disa personave ka ndodhur sot në rrugën “Hilë Mosi” në Prishtinë, ku dyshohet se është shkrepur edhe arma e zjarrit.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare, ku ka bërë me dije se arma është sekuestruar dhe të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë aktive ka vijuar punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore të cilat kanë rezultuar me identifikimin, lokalizimin si dhe kapjen e menjëhershme të disa personave të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë. Të lënduarit nga përleshja janë dërguar në QKMF, për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në njoftim.
Policia ka thënë se po vazhdon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
“Ndërkohë që është identifikuar edhe një veturë e dyshuar e njëjta është ndaluar dhe kontrolluar nga policia, me ç ‘rast policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë arma nga e cila është shkrepur. Aktualisht po vazhdon puna policore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në njoftim./Njeshi/