27.8 C
Pec
E enjte, 25 Korrik, 2024

Përparim Rama bën sikur i dëgjon qytetarët, vepron kundër tyre

Një dëgjim publik, dy vjet më parë, Komuna e Prishtinës e organizoi me banorët e lagjes “Kalabria”, për përpilimin e planit rregullues urbanistik për këtë lagje.

Më 22 maj 2022, kur u mbajt ky takim me qytetarë, kryetari i kryeqytetit Përparim Rama, para banorëve të Kalabrisë koeficientin më të larë që e zuri në gojë atë ditë ishte ai 2.4 për pronat private të prishtinasve.

Në procesverbalin e atij takimi, që gjendet edhe sot në webfaqen e Komunës, nuk u përmendet askund se çfarë do të ndodhë me pronat publike të kësaj lagjeje. Madje, as koeficienti 3 e as ai 7. Këto shifra dolën në skenë tek në vitin 2024, nga kryetari Rama.

Dy vjet pas debatit me qytetarët, ai propozoi që në pronat publike të Stacionit të Autobusëve, koeficienti i ndërtimit të jetë 7, që përkthehet në ndërtesa nga 20 deri në 30 kate. Propozimi i Ramës ishte kundërthënës me vendimin e tij të marrë në 2022-ën, kur e anuloi planin e kësaj lagjeje, me arsyetimin se nuk ka hapësira për kaq shumë ndërtesa të larta e banorë.

Idenë e tij të re, arkitekti nga Londra e arsyetoi me faktin se kjo hapësirë ka nevojë për transformim. Për diskutimin e këtij ndryshimi dhe ndryshimeve të tjera, Komuna e Prishtinës nuk zhvilloi debat publik me qytetarë. Për të dhënë mendimet e vërejtjet e tyre, banorëve të Kalabrisë iu mundësua një i ashtuquajtur shqyrtim publik që qëndroi i hapur nga 22 shkurti e deri më 7 mars të 2024-ës.

Nga fundshkurti deri në fillimmarsin e këtij viti, banorët e Kalabrisë patën mundësinë të shkojnë në objektin e Komunës së Prishtinës, jo për dëgjim a debat publik, por që komentet e tyre për projektin rregullues të lagjes së tyre t’i shkruajnë në një fletore.

Kryetari i Këshillit të lagjes “Kalabria”, Milot Krasniqi, tha se fokusi i qytetarëve në këtë proces ka qenë rritja e koeficientit për pronat e tyre private, dhe se koeficienti për pronën publike nuk ka qenë fare temë diskutimi.

Zvarritja e votimit të planit rregullues për lagjen e tyre dhe ndryshimet që u bënë në këtë plan, Krasniqi thotë se hutuan banorët. Ani pse koeficienti për Stacionin e Autobusëve nuk ishte diskutuar fare me qytetarët, banorët e Kalabrisë u vunë para aktit të kryer kur plani rrugullativ me të gjitha ndryshimet u votua në seancën e 3 qershorit në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Kuvendi miratoi koeficientin 3, ani pse Rama propozoi koeficentin 7 për Stacionin e Autobusëve. Pavarësisht koeficientit të ndërtimit, përfaqësuesi i kësaj lagjeje pohon se vendimi i Komunës për t’u bërë ndërtime të larta në pronën publike, nuk është vendim i mirë. E arkitekti Valdet Osmani, vlerëson se vendimi i Kuvendit Komunal me propozim të Komunës për ndërtim në Stacionin e Autobusëve, është i kundërligjshëm. Vendime të tilla pa studime paraprake të fizibiliteti, sipas tij, kanë sjellë kaos në kryeqytet. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...