Nesër, më 4 qershor, pritet të bëhet përpjekja e 26-të për ta konstituuar përfundimisht përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në shkurt.
Deri tani, të gjitha tentimet kanë dështuar, ndërsa Kuvendi po vazhdon të funksionojë pa një kryetar të zgjedhur.
Kjo formë e votimit – e propozuar më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas disa tentimeve të pasuksesshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut të LVV-së – është kontestuar nga partitë opozitare të legjislaturës së kaluar.
PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si jokushtetuese procedurën e votimit të fshehtë dhe kanë kërkuar masa të përkohshme, për të ndaluar seancat derisa Gjykata të japë një vendim.
Në vazhdimin e fundit të seancës konstituive, më 2 qershor, këto parti refuzuan sërish të propozonin një përfaqësues në komisionin që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë, duke bllokuar kështu procesin.
Procesi mbetet i bllokuar në piken e tretë: zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Përplasjet politike dhe mungesa e konsensusit e kanë lënë Kosovën pa udhëheqje të Kuvendit për më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve, ndërsa sytë tashmë janë te Gjykata Kushtetuese dhe seanca e së mërkurës, që do të jetë përpjekja e 26-të me radhë./Njeshi/